Policia e Tiranës ka sekuestruar një sasi kokaine, ndërsa në pranga janë vënë dy persona, pasi akuzohen se shpërndanin drogë në disa zona të ndryshme të Tiranës. Në kuadër të operacionit te koduar “Selita”, pas hekurave ranë shtetasit me inicialet L. T., 33 vjeç dhe V. T., 28 vjeç, të dy banues në Selitë.
Burime zyrtare nga policia pohuan se u bllokuan 402.7 gr kokainë, peshore elektronike dhe një sasi parash, e përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, ka pasur informacione të marra në rrugë operative se në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, Komunës së Parisit dhe Tiranës së Re.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e punonjësve të policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shigjetat” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Prokop Mima”, është ndaluar për kontroll automjeti tip “Smart”, me drejtues L. T. dhe pasagjer V. T. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e shtetasit L. T, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 402.7 gramë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike, 5 aparate celular dhe një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb