Policia e Tiranës ka arrestuar një 26-vjeçar, pasi akuzohet se krijonte llogari të rreme në rrjete të ndryshme sociale. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet K. A., ndërsa u procedua penalisht shtetasja K. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet pas një hetimi tremujor, ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “The puzzle”. Krijonte llogari të rreme në rrjete të ndryshme sociale, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari. Procedohet penalisht dhe një shtetase tjetër, bashkëpunëtore e tij.

Dy autorët dyshohet se janë të implikuar dhe në veprimtarinë kriminale në fushën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Ndërhyrjeve në të Dhënat Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një hetimi intensiv tremujor, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “The puzzle”.

Si rezultat i tij, u bë ndalimi i shtetasit K. A., 26 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja K. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vidhnin gjeneralitetet të shtetasve të ndryshëm, dhe krijonin llogari të rreme në rrjete të ndryshme sociale. Po ashtu, gjatë hetimeve ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin veprimtari kriminale në fushën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb