TIRANE – Gjatë konferencës së dy kryeministrave, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës, Ramush Haradinaj i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Një ndër pyetjet e bëra në konferencë ishte nëse Kosova i ka votat për t’u futur në UNESCO, dhe kërkesat e Presidentit serb Aleksander Vucic për lënien jashtë të saj.

Kryeministri i Kosovës tha se përfshirja këtë vit në UNESCO do të ishte një fitore e madhe për vendin pasi sipas tij Kosova ka trashëgimi dhe diversitet kulturor.

“Kosova është një anëtare e vlefshme për UNESCO-n se ka trashëgimi kulturore, ka diversitet kulturor. Dhe kurdo që të ndodhë anëtarësimi, ajo trashëgimi e çmuar do të jetë pjesë e Unesco-s që nuk është vetëm e Kosovës, por dhe e botës. Nëse ndodh këtë vit, do të ishte fitore. Por nëse nuk ndodh, do të presim vitin tjetër,” tha Haradinaj.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nuk e kuptonte logjikën e refuzimit serb për përfshirjen e Kosovës në UNESCO, dhe se një gjë të tillë ia kishte thënë edhe Presidentit serb Vucic.

“Nuk e kuptoj logjikën e refuzimit serb për përfshirjen e Kosovës në Unesco. Se nëse për ta kanë rëndësi trashëgimitë kulturore, ata duhet të vraponin, në një vend ku pa dashjen e tyre qeverisin shqiptarët. Kush humbet në këtë rast nga ky proces? Kosova humbet më pak se Serbia, sepse UNESCO dihet se çfarë është dhe për çfarë duhet, dhe i duhet Serbisë që të jetë në Kosovë për të mbrojtur atë që ata e quajnë trashëgimi të tyren kulturore. Është absurd qëndrimi serb. Unë ia kam thënë Vucic-it këtë,” tha Rama.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb