Nga: BESNIK BAKIU*
Me sa duket dhe për fat të keq, të gjithë ata apo ato që trashëgojnë një “ISH” në emërtimin e tyre, trashëguakan bashkë me të edhe “ADN” negative të paraardhësit. Këtu, siç po e shohim edhe në shfaqjen dramatike të ditëve të fundit me rastin “Kumanova”, nuk përjashtohet as fqinji ynë lindor.
Edhe pas më shumë se njëzet vitesh Maqedonia – FYROM – ISH Republika Jugosllave e Maqedonisë, nuk paska mundur ta shërojë vetveten nga bacili i të qenit një shtet me simptoma të dukshme diktatoriale. Drejtuesit e saj, ata historikë, njëlloj si këta të sotmit, duket se të vetmin universitet që e paskan përfunduar me sukses qenka ai ku kanë mësuar autoritarizmin.
Të gjithë bashkë, shtet dhe shtetas, na e kanë demonstruar mëse njëherë, që nga sheshet, stadiumet e deri te salla në parlament se po bëjnë çmos t’i japin vetes një portret totalitar. Me këtë trashëgimi fatkeqe, të të qenit diktator, autoritar dhe totalitar, nuk besojmë se plotësohen si duhet dhe siç pritet fytyra e një vendi që pretendon të jetë pjesë e strukturave të NATO-s dhe të bëhet pjesë e BE-së. Por ajo që me dhimbje vihet re përmbi këto, është fakti se si një vend që kishte mundësi ta shndërronte në vlerë multikulturalizmin dhe multietnizmin, po e shkatërron atë me kryeneçësi.
Butaforik, më shumë se sa i vërtetë, me tendencën për të krijuar mitologji përmes tekstesh e monumentesh groteskë e të manipuluar, më shumë se sa histori të re dhe bashkëjetesë. Maqedonia për ne dhe FYROM për shumë të tjerë, po përpiqet të riciklojë mbetjet e Jugosllavisë së vdekur. Madje ka shkuar akoma më larg, në histori, duke thirrur në ndihmë filozofinë dhe aleancat antishqiptare sllavo-ortodokse të fund shekullit XIX e fillim shekullit XX.
Pamjet e shkatërrimeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, që i ngjanin atyre të luftës në Siri, të sillnin vetvetiu në mendje luftërat ndëretnike në kohën e Millosheviçit. Këto na bëjnë me dije se Maqedonia nuk është shteti i ri, që aspiron një histori e kulturë të re, por është zgjatimi mental i ish-Jugosllavisë diktatoriale, se këtij shteti, më shumë se gjithçka tjetër do i shkonte etniteti “I PARDREJTË”.
Është tashmë një fakt i njohur se në këtë shtet marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare kanë qenë përherë të kërcënuara dhe të brishta. E kemi ditur se institucionet demokratike dhe dialogu politik  mes subjekteve ka qenë mjaft problematik, se krimi i organizuar ka mbytur ekonominë e brishtë, se varfëria ka pjellë emigracion, se liria e shprehjes ka qenë dhe mbetet e rrezikuar dhe përherë në përgjim dhe po kështu edhe çështjet e zgjedhjeve të lira apo liritë kulturore e arsimore. Rasti i fundit, ai i përgjimeve, ku mes të tjerash u publikua edhe ai i ministres së Policisë, Gordana Jankulovska, ku i quante shqiptarët “indigjenë” dhe se: “..shqiptarishtat mund t’i pastrojë për një orë”, janë kambanë alarmi jo vetëm për ne, fqinjët dhe rajonin tonë, por për të gjithë Europën, në mes të së cilës po fuqizohet profili diktatorial i një shteti.
Veçanërisht këto ditë ky antishqiptarizëm po bëhet edhe më i rrezikshëm, duke kërcënuar jo vetëm shqiptarët, pasi pushteti shtetëror dhe mediatik  sllavo-maqedonas, po e zgjerojnë fushatën e luftës psikologjike. Pavarësisht nga presionet, protestat dhe dorëheqjet e llojit “MAKE UP”, ngulmimi mbetet po ai, askush nuk ka kërkuar ndjesë, askush nuk është ndëshkuar. E gjitha kjo bëhet jo vetëm për të nëpërkëmbur vlerat, por për të zhbërë të drejtat e shqiptarëve në trevat e tyre.
E gjitha kjo ka një prapavijë edhe më të rrezikshme dhe më të sofistikuar: Trashëgimtarët e sëmundjeve dhe të veseve të ish-Jugosllavisë duan të disinformojnë opinionin botëror mbi gjoja rrezikun që po i vjen Ballkanit nga shqiptarët, mbi kanosjen që shqiptarët po i bëkan Evropës, me idenë e Shqipërisë së Madhe, me radikalizmin islamik, që gjoja mbakan shqiptarët.
Këto nuk janë muhabete kafesh e kafenesh ku kalojnë kohën të papunët dhe ku ushqehen varfërisht të vobektit, është kreu i këtij shteti, vetë presidenti, Gjorge Ivanov, që u ka nisur pusullë drejt presidentëve të shteteve anëtare të OKB-së, me anë të së cilës synon që fajin kryesor për konfliktin në Kumanovë t’ia hedhë Kosovës dhe disa politikanëve shqiptarë të Prishtinës.
Kjo sjellje, pavarësisht se na prek jo pak edhe ne, të gjithë shqiptarëve kudo ku jemi, mbetet çështje e politikës së shtetit fqinj, Maqedonisë. Por si i jemi përgjigjur ne shqiptarët brenda dhe jashtë kufirit albanofobisë së FYROM-it?? Si kemi reaguar ne ndaj vrasjeve, burgosjeve, proceseve të montuara gjyqësore, diskriminimit ekonomik, politik, social dhe kulturor? Si i jemi përgjigjur dhunës dhe terrorit shtetëror, i cili ka marrë përmasa dramatike, sidomos pas ardhjes së VMRO-së në pushtet në vitin 2006?
Si i jemi përgjigjur fushatave për kriminalizimin e komunitetit shqiptar? Si i jemi përgjigjur Enciklopedisë Maqedonase, e cila është shoviniste dhe antishqiptare? Ku janë inteligjenca, njerëzit e shkolluar, editorialistët, profesorët, studentët, shoqatat, akademikët shqiptarë në Maqedoni? Ku janë dhe pse heshtin të njëjtët në Kosovë dhe në Shqipëri? Ku janë strukturat legale të shtetit shqiptar, që kanë përgjegjësi ligjore të shprehen dhe të reagojnë mbi këto çështje?
Për fat të keq duke u zmbrapsur të gjithë. Është e njëjta fjalë që duhet përdorur si për ata që braktisën shtëpitë dhe si për institucionet që nuk bënë detyrën. Kujtesa na thotë se ne braktisëm Manastirin, Ohrin, Shkupin e me radhë. Jemi ngushtuar në një rrip të ngushtë toke përgjatë kufirit shtetëror me shtetin amë. Askush nuk do ta besonte në atë kohë, se ideja e dikurshme e presidentit Gligorovit për të reduktuar hapësirën territoriale kombëtare të shqiptarëve prej Pollogut deri te Korabi, do të zbatohej ekzaktësisht në praktikë. Edhe atëherë u zmbrapsëm, nuk reaguam sa/si duhet dhe ja pasojat sot.
U katandisëm kështu se politikanët tanë në FYROM e kanë përdorur dhe e përdorin nacionalizmin, vetëm si kalë beteje për pushtetin dhe pasuritë e tyre të paligjshme, për të mbrojtur lidhjet me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Partitë politike shqiptare bëjnë gara (kush më shumë e kush më pak, kush më hapur e kush më fshehtas) për të qenë më afër kryeministrit të radhës. Ata janë kthyer në oborrtarë të vegjël me ambicie të mëdha për përfitime personale. Janë ndarë në shumë parti, duke copëzuar votat dhe fuqinë politike të shqiptarëve dhe për t’ia bërë të lehtë nacional-shovinizmit maqedonas të luajë me shqiptarët kur dhe si të dojë – madje kur të mërzitet duke luajtur edhe t’i vrasë ata.
Po shoqëria civile shqiptare në Maqedoni, çfarë bën? Asgjë veç heshtjes! Në rastin më të mirë ata bëjnë ndonjë  status në ‘FB’ ose ‘Twiter’ dhe lajnë duart me fjalë dhe gjoja mllefosje nga mosreagim i të tjerëve… Në mënyrë optimiste, por prej naivi, ata besojnë se jo përpjekjet dhe përballjet, por Natyra do i ndihmojë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët do të përdorin pjellshmërinë, natalitetin për të ndryshuar raportet e popullsisë, për të fituar më shumë të drejta, duke u bërë pas pak vitesh popullsi e parë në FYROM…
Zotërinj studiues, mosrespekti për teori të tilla studimi më bën të them se nuk është rritja natyrore shpëtimi ynë. Kjo edhe pasi nataliteti po shoqërohet me imigrim të frikshëm.
Por krahas këtyre zërave që duhet të flasin, ka ardhur koha (madje ka kaluar disi) që  shteti amë, Republika e Shqipërisë, të respektojë Kushtetutën e vet. Ajo duhet të ngrejë zërin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarët në Maqedoni (pasi me këtë cilësim e ka njohur FYROM-in Parlamenti shqiptar, madje i pari ndër të parët), pasi ata janë popullsia më e diskriminuar në Ballkan. Kjo shprehje dhe ngritje zëri është ligj dhe detyruese. Institucionet më të larta të shtetit duhet të flasin dhe të organizohen për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Inkurajuese deklarata e fundit e kryeministrit të vendit tim, që kërcënoi me veto, moszbatimin e kësaj marrëveshje.
Ka ardhur koha t’i kujtohet fqinjëve tanë se ishte Republika e Shqipërisë ajo që pasi e njohu, u hapi edhe portet e veta, kur këtij shteti iu bllokuan rrugët nga shtetet e tjera fqinje. Meqenëse nuk kanë kujtesë të mirë, nuk janë mirënjohës, janë të padrejtë dhe kanë dëshmuar se janë mjeshtra në manipulimin e librave të historisë, ka ardhur çasti t’u kujtojmë edhe të vrarët në kufi në fshatrat e Rajcës dhe Gollobordës.
Por, siç e dimë tanimë roli i politikës shqiptare në këtë çerekshekulli ka qenë i zbehtë, i vonuar, sipërfaqësor, me doza hipokrizie, pak vendimmarrës, përballë ndjeshmërisë politike të opinionit shqiptar. Madje edhe më keq se kaq. Përçarja politike që vërehet në Shqipëri, është përcjellë dhe  eksportuar edhe te politika shqiptareve në Maqedoni.
Politikanëve shqiptarë në Tiranë (por edhe Prishtinë) i këndojnë  mbi kokë “njëmijë e një kumri” për vete, për pushtetin e tyre, për ekonominë e tyre, për performancën e tyre, për zgjedhjet e tyre, pasi janë përfshirë në luftën  politike të paprinciptë për dominim politik. Edhe detyrimin kushtetues dhe më të thjeshtë, atë të emërimit të ambasadorit, shteti ynë e zvarriti gati një vit. Kjo situatë është shumë e dhimbshme.
Atëherë si do i bëhet me bashkëkombësit tanë në Maqedoni? Shpëtimi edhe këtë radhë do të na vijë nga vetvetja dhe jo nga Zaevi e të tjerë (Kujdes “Ujku, qimen e ndërron, por zakonin se harron!” ), sepse që kur është krijuar FYROM-i e Maqedonia si shtet, ai ka zhvilluar një politikë konstante antishqiptare. Duhet që shqiptarët të organizohen në një bllok të madh opozitar, duke angazhuar figura të shquara publike, të pakompromentuara e të pazhyera pas pushtetit dhe bonuseve të tij, duhen rikrijuar lidhjet edhe me veprimtarë e intelektualë nga diaspora.
Unë besoj se shqiptarë të rinj, si studentja që foli në mitingun e fundit në Shkup, do të jenë klasa e re politike e cila do t’i imponojë politikanëve sllavo-maqedonas, atyre që trashëgojnë shpirtin e “ISH-ëve”, shpirtin e FYROM-it, por edhe politikanëve shqiptarë në atë vend,  të fillojnë të zbatojnë rregullat dhe detyrimet e demokracisë dhe bashkëjetesës, për një shtet të rilindur, për një Maqedoni të re, me profil demokratik evropian.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: