HOLANDE-Ata nuk kanë asnjë shans për leje qëndrimi, refuzohen nga Gjermania, por qindra prej tyre vazhdojnë të mbajnë shpresën për të përfituar azil në qendrat e strehimoreve emergjente në Holandë. Kështu shkruan prestigjiozja holandeze “De Telegraaf”, e cila u ka kushtuar një reportazh azilkërkuesve shqiptarë, duke i cilësuar si kërkuesit e pasurisë apo refugjatë ekonomike. Në artikullin e publikuar në edicionin e së shtunës, gazetari Alexander Bakker denoncon ardhjen e shqiptarëve në Holandë.

Sipas “De Telegraaf”, në Gjermani ka një fluks shqiptarësh shumë herë më të lartë, por autoritetet holandeze kane zbuluar se një pjesë e azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar nga Gjermania, refuzojnë të kthehen në Shqipëri dhe i drejtohen më pas Holandës. Në artikull renditen edhe arsyet kryesorë pse shqiptarët largohen dhe gjithçka ka të bëjë me gjendjen ekonomike në Shqipëri. Mospërkrahja me ndihmë ekonomike dhe papunësia shihen si arsyet kryesore të ikjes nga Shqipëria, përkundrejt arsyeve jetësore të shtetasve sirianë të cilët largohen për një jetë më të sigurt. Numri i azilkërkuesve shqiptarë është rritur ndjeshëm vitin e kaluar në Holandë. Një i ri shqiptar i pyetur nga gazeta mbi arsyet e largimit nga Shqipëria thotë: “Qeveria duhet të na sigurojë punë. Ne nuk na dalin paratë as për cigare”.

Artikulli ironizon arsyet e largimit të shqiptarëve duke thënë se ata kërkojnë të përfitojnë para: “A rrezikojnë jetën duke udhëtuar me varka? Jo, faleminderit! Shqiptarët marrin viza dhe udhëtojnë me linjat ajrore turistike për të kërkuar azil këtu. Kjo ka ndodhur më shumë se 500 herë këtë vit në Holandë. Por përse zgjedhin Holandën? Për këtë pyesim një shqiptar me ermin Alban i cili thotë se në Shqipëri nuk i dalin lekët as për cigare dhe se ka dëgjuar që në Holandë mund të bësh një jetë më të mirë”, shkruhet në artikull. Gazeta thekson se shqyrtimi i kërkesave për azil në Hollandë zgjat deri në gjashtë muaj, por shqiptarët nuk ka asnjë shans për sukses pasi rregullat e Dublinit përcaktojnë që vetëm në një vend mund të aplikosh për azil.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: