Prej kohësh, një numër i madh afganësh të arratisur nga vendi i tyre për shkak të ardhjes në pushtet të talebanëve, u strehuan në vendin tonë.

Media amerikane “The Washington Post”, u ka kushtuar atyre një artikull ndërsa ka përfshirë edhe dëshmi të tyre mbi atë se si është jeta e tyre në Shqipëri dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Ata shprehen se janë në pritje të vizës për t’u zhvendosur në SHBA dhe për të rinisur një jetë të re.

Artikulli i plotë:

Pothuajse dy vjet që kur u largua nga Afganistani për t’i shpëtuar pushtimit të talebanëve, Firooz Mashoof e ka ende të mjegullt ditën e tij të fundit në Kabul.

“Gjëja e fundit që pashë ishin malet përreth Kabulit dhe perëndimi i zymtë i diellit teksa u ngrit “Qatar Airways”, tha ai.

Fotoreporteri 35-vjeçar dhe ish-punonjës i federatës afgane të futbollit, ndodhet tashmë në Shqipëri, mijëra kilometra larg atdheut të tij.

Çdo ditë që kalon, ankthi i tij rritet për vonesën e vizës së premtuar për në SHBA, duke bërë që të shtyhen ëndrrat për një fillim të ri në Amerikë.

Por ka qindra të tjerë si ai. Disa përpiqen të gjejnë punë dhe të jetojnë normalitet, por shqetësimi dhe frika për familjet përshkon pritjen në Shqipëri.

Në Shëngjin, një qytet në bregdetin e Adriatikut rreth 70 kilometra në veriperëndim të Tiranës, ku qindra afganëve iu dha strehim të përkohshëm, Mashoof shpesh shkon për shëtitje të gjata buzë detit. Ai ka gjetur punë në një qendër tregtare, por duhet të udhëtojë çdo ditë nga 1 orë për të shkuar në vendndodhje.

Shëtitjet buzë bregdetit duket sikur largojnë paksa frikën e tij për familjen, e cila ka mbetur në provincën perëndimore të Heratit.

“Unë u shpëtova dhe tani do të filloj jetën time të re në Amerikë. Por kur?”, shprehet ai.

Talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, ndërsa trupat e SHBA-së dhe NATO-s ishin në javët e fundit të tërheqjes së tyre nga vendi pas dy dekadash lufte.

Pavarësisht premtimeve për një qeverisje më të moderuar, ata filluan të zbatojnë kufizime për gratë dhe vajzat, duke i ndaluar ato të dalin në hapësirat publike dhe nga shumica e vendeve të punës. Ata ndaluan edhe arsimimin për vajzat pas klasës së gjashtë.

Masat u kthyen siç ishin në sundimin e mëparshëm taleban të Afganistanit në fund të viteve 1990, kur ata imponuan gjithashtu interpretimin e rreptë të ligjit islamik, ose të njohur ndryshe si Sheriati. Dekretet e ashpra nxitën një protestë ndërkombëtare kundër talebanëve tashmë të izoluar, administrata e të cilëve nuk është njohur zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara apo komuniteti ndërkombëtar.

Ndërsa talebanët ndoqën një rrugë gjithnjë e më të ashpër, ekonomia në vend ra ndjeshëm, pavarësisht përpjekjeve të agjencive të ndihmës për të ndihmuar një pjesë të madhe të kombit të varfër.

Në ditët e tërheqjes, Uashingtoni kishte vendosur të pranonte të gjithë ata që kishin punuar për qeverinë amerikane ose për organizatat mediatike me bazë në SHBA dhe grupet joqeveritare në Afganistan. Por, me kalimin e kohës, procesi i ndërlikuar i vizave për afganët që tregojnë se janë në rrezik persekutimi, u zgjat.

Më shumë se 3200 afganë kanë qëndruar në resortet turistike të Shqipërisë përgjatë detit Adriatik. Një anëtare e NATO-s, Shqipëria pranoi fillimisht të strehonte afganët e arratisur për një vit përpara se të zhvendoseshin për zgjidhjen përfundimtare në Shtetet e Bashkuara, më pas u zotua t’i mbante ata për më gjatë nëse vizat e tyre vonoheshin.

Janë rreth 76,000 afganë tashmë në SHBA, ndërsa përpjekjet e Kongresit që synojnë të zgjidhin përgjithmonë statusin e tyre të imigracionit gjithashtu kanë ngecur. Një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare tha për Associated Press se autoritetet në Tiranë nuk do të ishin kundër mbajtjes më afatgjatë të afganëve në vendin ballkanik, nëse ata mund të gjejnë punë.

Vitin e kaluar, një grup i vogël afganësh në Shëngjin organizuan një protestë, duke i bërë thirrje Uashingtonit të përshpejtojë procesin e transferimit të tyre. Disa gra dhe fëmijë mbanin postera ku shkruhej: “Jemi të harruar!’.

“Nuk kam zemër të protestoj për shkak të vonesës. Nuk kam asgjë që mund të bëj”, tha Shahab.

Fazil Mohammad Shahab, një zyrtar i lartë i federatës së futbollit në Afganistan, erdhi në Shqipëri në nëntor 2021. Ndryshe nga shumë prej mijëra turistëve që vizitojnë Shëngjinin dhe vendpushimet e tjera shqiptare, ai nuk e sheh bregdetin si një parajsë të paprekur.

“Për mua, është thjeshtë një vend pritjeje”, shprehet ai.

Në fillim të këtij muaji në Shëngjin, gratë afgane u grumbulluan në grupe të vogla ndërsa fëmijët e tyre luanin aty pranë, ndërsa çiftet ecnin përgjatë plazhit.

Farishta Oustova, një reportere e lajmeve televizive dhe një ish-lojtare e ekipit kombëtar të volejbollit të Afganistanit, mbërriti në Shqipëri në shtator 2021. Brenda dy muajsh ajo u punësua fillimisht në një hotel, më pas në një fabrikë këpucësh dhe më në fund në një qendër kujdesi për fëmijët.

“Dua të kem një jetë normale”, tha 23-vjeçarja, pavarësisht shqetësimeve për familjen e saj që ka mbetur në Herat.

Ndërsa një prezantues dhe humorist i njohur televiziv, 30-vjeçari Qasim Taban rifilloi të publikonte video argëtuese në YouTube. Ai shprehet se gjen forcë në humor dhe shpreson se miqtë dhe fansat mund t’i shohin videot dhe të argëtohen.

“Ne, këtu në Shqipëri, dhe gjithashtu afganët e kthyer në Afganistan duhet të qeshim”, është shprehur ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb