Të paktën 11 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë të zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu në rajonin malor Ratsa në veriperëndim të Gjeorgjisë , sipas raportit të fundit nga autoritetet e vendit.

“Trupat e 11 personave u gjetën si pjesë e operacioneve të kërkim-shpëtimit”, njoftoi ministria e brendshme. Numri i mëparshëm zyrtar ishte gjashtë të vdekur.

Pamjet me dron tregojnë shkatërrimin e shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut në Gjeorgji

“Është një situatë shumë e vështirë,” tha për mediat kryeministri i vendit Irakli Garibashvili, i cili vizitoi zonën e katastrofës dhe urdhëroi ushtrinë të bashkohej me operacionet e kërkimit. Kryeministri tha se autoritetet e kerkim-shpetimit ishin ende në kërkim të rreth 30 personave të zhdukur

Rrëshqitja e dheut ndodhi dje pas shirave të rrëmbyeshëm disa ditësh pranë një hoteli në Sovi, një destinacion i vogël turistik në malet e rajonit Ratsa. Rrëshqitja e dheut ka shkaktuar dëme në banesa, linja elektrike, rrugë dhe ura.

“Është një mrekulli që mbijetuam,” tha Mariam Berianindze, 26 vjeç, për mediat gjeorgjiane, duke thënë se ajo kaloi “2 orë gjysmë të varrosur” në baltë. “Tre persona u fshinë para syve tanë dhe shpresoj të gjenden të gjallë”, shtoi ajo.

“Për të dytën ditë radhazi, operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon me pjesëmarrjen e rreth 400 zjarrfikësve dhe pjesëtarëve të njësive të ndryshme policore”, sipas Ministrisë së Brendshme. “Punonjësit e MPB-së janë duke evakuuar qytetarët nga zona e fatkeqësisë”, thuhet në njoftimin ku thuhet se nga vendi i ngjarjes janë evakuuar mbi 140 persona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb