Prokurorët gjermanë thonë se kanë arrestuar një shkencëtar rus të akuzuar për spiunim për Moskën, nën dyshimin se ka përcjellë të dhëna të klasifikuara rreth programit raketor evropian, “Ariane” përderisa punonte në një universitet gjerman.

Prokurorët federalë thanë të enjten se i dyshuari, i identifikuar si Ilnur N., është hulumtues shkencor në një universitet të rajonit gjerman të Bavarisë dhe ka mbajtur takime të rregullta me një zyrtar të lartë të inteligjencës ruse në Gjermani. Autoritetet thanë se ai është arrestuar në qershor të vitit të kaluar.

Arrestimi i këtij shkencëtari është pjesë e një vargu rastesh të dyshimta për veprimtari ruse të spiunazhit në Gjermani, vend që cilësohet qendër e rëndësishme për operacionet ruse të inteligjencës, shkruan Free Europe.

Në dhjetor, një gjykatë në Berlin dënoi një burrë rus për vrasjen e një ish-militanti çeçen në Berlin me urdhër të Rusisë më 2019. Gjykata vlerësoi se vrasja ishte akt hakmarrjeje ndaj viktimës 40-vjeçare, çeçen etnik me prejardhje gjeorgjiane, pasi ishte kundërshtar i Kremlinit. Vendimi i gjykatës gjermane nxiti dëbime të diplomatëve mes dy shteteve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb