Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, prezantoi të mërkurën një strategji gjithëpërfshirëse për Forcat e Armatosura gjermane. Kjo është hera e parë që Gjermania prezanton një strategji të këtij lloji.
Intervista e plotë me Auron Dodin, në DW:
Dodi: Në Berlin u prezantua strategjia e parë ushtarake e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se „ne të gjithë duhet të pranojmë faktin se paqen dhe lirinë…nuk mund t’i marrim më si të vetëkuptueshme, por duhet t’i mbrojmë dhe kjo do të thotë që duhet të jemi të aftë t’i mbrojmë ato“.
Strategjia ushtarake mban titullin ‘Përgjegjësia për Evropën’. Në këtë kuadër ministri gjerman i Mbrojtjes shpjegoi se Gjermania do të ‘marrë më shumë përgjegjësi’ brenda NATO-s. Do të veprojë gjithashtu me autonomi më të madhe në mbrojtjen e Evropës. Kjo edhe sepse SHBA po orientohen më fort drejt rajonit Indo-Paqësor. Si ekonomia më e madhe e BE, Gjermania ka një ‘përgjegjësi të veçantë’ për t’i qetësuar aleatët.
Strategjia e re ushtarake e përshkruan Rusinë si “kërcënimin më të madh të menjëhershëm për lirinë dhe sigurinë” në Gjermani. Në të paralajmërohet se Rusia përgatitet përmes „forcimit ushtarak për një përballje ushtarake me NATO-n dhe e konsideron përdorimin e forcës ushtarake si mjet legjitim për të afirmuar interesat e saj“.
Çfarë objektivash specifike ndjek Gjermania me këtë strategji të re?
Dodi: Prioriteti kryesor është shtimi i numrit, të Forcave të Armatosura. Deri në vitin 2035, Forcat e Armatosura Gjermane synojnë të kenë 460.000 ushtarë. Nga këta, 200.000 do të jenë rezervistë. Pra numri aktual i rezervistëve aktivë pritet gati të trefishohet.
Ministri i Mbrojtjes u zotua të punojë ‘shpejt’, që Gjermania të bëhet ushtria konvencionale më e madhe në Evropë. Ai shtoi edhe se „në plan afatgjatë, ne do të krijojmë epërsi teknologjike“.
Koncepti që u paraqit përbëhet nga dy pjesë: veç strategjisë ushtarake, ka edhe një profil aftësish. Në të përcaktohet përbërja, struktura dhe madhësia e forcave të armatosura, për të ardhmen.
Në prezantim u tha se dokumentet do të jenë “dokumente të gjalla”, që mund të përshtaten në varësi të zhvillimeve. Pra me strategjinë e re, Bundesëehr-i i jep vetes zhdërvjelltësi dhe një mentalitet të ri.
Shumë nga detajet e dokumenteve janë të megjithatë të klasifikuara, jo të hapura për publikun. Kjo e vështirëson disi interpretimin nga jashtë, edhe nga mediet.
Si mendohet të arrihet shtim kaq i madh trupash të ushtrisë gjermane, kur Gjermania nuk ka shërbim të detyrueshëm ushtarak?
Dodi: Pyetja është e drejtë. Aktualisht, Gjermania ka mbi 186.400 ushtarë. Më shumë vullnetarë ushtria gjermane synon të rekrutojë me një kombinim stimujsh dhe detyrimesh.
Këtu bën pjesë kontrolli i detyrueshëm mjekësor për të gjithë meshkuj e rinj. Po të mos arrihet kjo, mund të riaktivizohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak, që u pezullua në vitin 2011.
Megjithatë, përfaqësues të ministrisë së Mbrojtjes thanë se kjo nuk po diskutohet, pasi numri i ushtarëve po shtohet. Vazhdon të shtohen aplikimet si për sektorin ushtarak, ashtu edhe civil.
Për të përshpejtuar rritjen e personelit, Ministria e Mbrojtjes do të lejojë gjithashtu edhe zgjerime të sektorëve ushtarakë, ku ka më shumë të interesuar. Për postet më të kërkuara, Bundesëehr-i do të rekrutojë më shumë personel sesa kërkohet.
Cila janë implikimet financiare të këtij riarmatimi?
Dodi: Riarmatimi i Gjermanisë dihet se është pjesë e ndryshimit paradigmatik, “kthesës epokale” që u shpall në vitin 2022, kur filloi lufta në Ukrainë. Mund të flitet për përmasa të mëdha të riarmatimit.
Buxheti ushtarak i Gjermanisë tani është i katërti në botë nga vëllimi. Vitin e kaluar, Gjermania shpenzoi për mbrojtjen, në terma absolutë, më shumë se çdo vend tjetër evropian.
Më shumë se 150 miliardë euro në vit do të investohen në mbrojtje deri në vitin 2029. Kjo shumë do të thotë trefishim i buxhetit ushtarak të vitit 2002.
Pse u prezantua tani, për herë të parë, strategjia ushtarake e Gjermanisë?
Dodi: Gjermania ka pasur në të kaluarën dokumente për ushtrinë, “libra të bardhë”, siç quheshin, por kjo strategji është gjithëpërfshirëse dhe e re.
Gjermania më parë ishte fokusuar vetëm në veprimin brenda kornizës së aleancës së NATO-s. Siç u shpreh një ekspert, “Gjermania, në njëfarë kuptimi, kishte adoptuar strategjinë e NATO-s.” Disa madje e quanin krejt të panevojshme që Gjermania të përcaktonte interesat e saj kombëtare.
Berlini synonte të shmangte perceptimin si militarist, pas kasaphanës së Luftës së Dytë Botërore. Duke qenë se trupat gjermane ishin plotësisht të integruara në komandën e përbashkët të NATO-s, u qetësuan p.sh. fqinjë si Franca apo Polonia, që ndiheshin të rrezikuara nga një Gjermani që vepron e vetme.
Por bota sot ka ndryshuar dhe rezultati është edhe hartimi i dokumentit të strategjisë ushtarake të Gjermanisë.
