Unë nuk e di sesi arriti zoti David Sassoli, kryetar i Parlamentit Europian, te përfundimi se në Shqipëri gjeti një bashkim të njerëzve rreth projektit të integrimit europian.

Ashtu qoftë!

Nuk e di se ku u mbështet, ku i mori faktet, ku i bëri matjet e opinionit, ku i studjoi prirjet e ekonomisë, të kulturës, të administrimit.

Punë e tij!

Uroj të mos ketë gabuar! Do të m’a donte zemra!

Sa për mua, unë i qendroj bindjes që vjen nga studimet e mia se :

1- Realiteti i shoqërisë shqiptare i është larguar gjithnjë e më shumë integrimit europian, jo vetëm në politikë, por, edhe në art, kulturë, shkencë, ekonomi.

2- Shqiptarët emigrojnë në Evropë sepse ndjejnë se modeli europian është në zbehje dhe në pikjatë në Shqipëri.

3- Në Shqipëri veprojnë faktorë të fuqishëm që nuk kanë asnjë interes që Shqipëria të integrohet në BE. Si asnjëherë më parë Shqipëria është e përçarë mes qytetarëve që vazhdojnë ende të duan një afrim me BE, dhe lobeve të fuqishme antievropiane në veprime, por hipokrizisht europianiste.

4- Modeli i zgjedhjeve, i gjykatave, i drejtësisë, i ekonomisë, i të drejtave të njeriut nuk ka asnjë avancim, përkundrazi është në lëvizje të kundërt me modelet europiane.

5- Shqipëria europiane, Shqipëria e rrënjëve, e traditës, ka qenë pjesë e Europës në besimet, organizimet sociale, vlerat njerëzore, kurse sot kulturalisht dhe ekonomikisht, politikisht është e izoluar nga Evropa. Njësoj, në disa drejtime të rëndësishme, si në kohën e Perdes të Hekurt!

Hapen ose nuk hapen negociatat, kjo nuk ka lidhje fare me atë që fatkeqësisht është sot pozicioni i lobeve të fuqishme shqiptare kundër BE.

Unë uroj sinqerisht që zoti David Sassoli t’a ketë të bazuar çka deklaroi, të mos e kenë gënjyer, ose më keq, të jetë vetëgënjyer!

Forcimi i europianizmit në Shqipëri kërkon përqasje të tjera sa nuk është shumë vonë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb