Një konflikt i nisur për një lojë me letra ka përfunduar me plagosjen e një 17-vjeçari në fshatin Bulgarec. Sipas dëshmive, sherri ka nisur fillimisht pasi i riu i plagosur kishte fituar një lojë dhe si “shpërblim” kundërshtari duhej t’i paguante një pije, gjë që ky i fundit nuk e ka pranuar.

Tensionet kanë vijuar edhe ditën pasuese, kur dy të rinjtë janë përfshirë sërish në konflikt. Fillimisht ata janë goditur me grushta, por situata ka dalë jashtë kontrollit duke degraduar në përdorimin e një mjeti prerës, ku për pasojë mbeti i plagosur 17-vjeçari.

Sipas familjarëve të të plagosurit djali i tyre është goditur me thikë në kraharor pas një sherri për lojën e letrave. Gjyshja e të plagosurit Meliana Bricka thekson se të dy familjet kanë pasur marrëdhënie të mira dhe se nuk ka pasur konflikte të mëparshme mes tyre.

“Me thikë në kraharor e ka goditur me thikë. Luanin me letra jo fitova unë jo fitove ti.
Ishin zënë me grushte dhe e kishte goditur me thikë. Jemi të afërt me familjen tjetër, kishim hyrje dalje edhe fëmija s’kanë patur gjë. Sherri ka qenë për lojën siç na llafosi djali. Të shoh djalin si është, atje më rri mendja. Është në shkollë në gjimnaz. S’kemi patur konflikt me asnjë në fshat se si na i bëri ai djalë kështu, na plagosi djalin”, shprehet gjyshja e të plagosurit.

Nga ana tjetër familjarët e autorit thanë se konflikti ka qenë i çastit dhe pa precedentë të mëparshëm. Gjyshi i tij, Shaban Mersinaj, deklaron se të rinjtë janë konfliktuar brenda në lokal dhe se gjithçka ka ndodhur pas një përplasjeje fizike mes tyre. Ai shton se nipi i tij nuk është person problematik dhe se familjet kanë
pasur marrëdhënie të afërta.

“Ata luanin aty, ai (i plagosuri)e goditi me stekë nipin, nipi ka rënë në tokë. Sipas asaj që na kanë thënë nipi është ngritur dhe i plagosuri e ka qëlluar prapë e ka bërë gjak pastaj ka vepruar nipi. Ngjarja ka ndodhur brenda në lokal.
Ne jemi tanët, jemi kushërinj, janë zënë për kot. Nipi im nuk është i sherrit, është djalë i qetë, punëtor. Ne kemi folur me të atin, ai nuk shtron ,jemi takuar në spital, nuk pranon.
Ne nuk kemi asnjë konflikt me ta. Gjendja e të plagosurit është mirë, nën sqetull ka një gërvishtje. Nipin erdhi e mori policia, ai pas ngjarjes erdhi në shtëpi, na tha që më goditi.
Janë gjëra të momentit jo konflikte të mëparshme, janë zënë për një shok pse i ke thënë këtë, pse i ke thënë atë. Kemi patur hyrje dalje në familje”, shprehet ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb