NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Në 23 ditët e para të aksionit anti-informalitet janë gjobitur 4.400 biznese në të gjithë vendin, ku vlera e gjobave arrin në 1.5 milionë euro. Në total rezultojnë të jenë rreth 61.000 subjekte të kontrolluara, nga të cilat, rreth 5.500 janë gjetur me shkelje dhe për 4.400 është vendosur masa e gjobës. Inspektorët e Tatimeve kanë gjetur biznese me mall pa faturë, të cilin e kanë sekuestruar, subjekte me punonjës të padeklaruar dhe subjekte të paregjistruara.

Gjobat
Sipas të dhënave paraprake nga Tatimet, mësohet se përqindja më e madhe e subjekteve me shkelje është konstatuar në Fier, me 16% të totalit të subjekteve që janë kontrolluar në atë qytet. Sipas tabelës përmbledhëse të publikuar nga “Monitor”, mësohet se kompanitë më të rregullta ishin në Durrës, ku vetëm 4% e subjekteve të kontrolluara në atë qytet ishin problematike. Në total, në 23 ditë aksion janë vendosur rreth 202 milionë lekë gjoba, apo rreth 1.5 milionë euro. Rezulton që gjoba mesatare për një subjekt ka qenë 45 mijë lekë. Në vlerë absolute, gjobat më të mëdha janë vendosur në Tiranë, me rreth 93 milionë lekë, ndjekur nga Lezha me 17 milionë lekë. Janë rreth 880 subjekteve në total, të cilave u është konfiskuar mall pa faturë, ndërsa ishin 672 punonjës që janë gjetur të padeklaruar.

Kontrollet
Drejtoria e Tatimeve Tiranë ka ushtruar 22.365 kontrolle dhe ka vendosur 1.645 gjoba, me vlerë 93 191 000 lekë. Subjektet janë gjetur me mall të pafaturuar, me punonjës të deklaruar ose të paregjistruar. Ndërkohë, Drejtoria e Durrësit ka kryer 8.112 kontrolle në subjektet ekonomike që operojnë në këtë qytet, ku ka gjetur me shkelje 323 subjekte, ka vendosur gjoba për 219 subjekte, me vlerë 11 180 000 lekë. Në qytetin e Elbasanit janë ushtruar 4874 kontrolle dhe janë gjobitur 347 subjekte, me vlerë totale të gjobave 202 779 000 lekë. Të 13-ta Drejtoritë e Tatimeve në rrethe kanë raportuar në drejtorinë e përgjithshme numrin e subjekteve që kanë kontrolluar, rastet që kanë gjetur me shkelje, masën e gjobave dhe arsyen e masës administrative.

Të dhënat
Deri në datën 18 tetor janë kryer 94.000 kontrolle në të gjithë vendin. Janë konstatuar 831 subjekte që ushtronin veprimtari pa qenë të regjistruara, ndërkohë që janë mijëra e mijëra subjekte që janë regjistruar në mënyrë vullnetare. Gjithashtu janë gjetur 5.777 subjekte të papajisura me kartë fiskale, 902 subjekte që nuk lëshonin kuponin tatimor dhe 813 subjekte me punonjës të padeklaruar. Ndërkohë që, janë futur në sistemin e sigurimeve shoqërore mbi 80.000 punonjës, – një shifër absolutisht spektakolare! Sipas të dhënave nga Tatimet, janë lidhur 17.000 kontrata të reja për pajisje fiskale dhe ka një rritje prej 55 milionësh të numrit të kuponëve tatimorë të lëshuar. Sipas të dhënave, xhiroja e deklaruar është rritur me 52%. Në shtator janë të regjistruara 134.328 biznese; nga 1 shtatori deri në 18 tetor janë regjistruar 25.457 biznese të reja, më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Vetëm në muajin shtator janë regjistruar 52.972 punonjës të rinj dhe deri në mes të tetorit janë regjistruar edhe 13.560 punonjës të rinj më shumë se në shtator.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: