Qeveria holandeze nuk ka arsye për të marrë masa shtesë për të përmirësuar cilësinë e ajrit, u shpreh Gjykata holandeze e Apelit, në kundërshtim me qëndrimin e ambientalistëve.

Vendimi i parë i gjykatës ishte në mbështetje të ambientalistëve duke i dhënë qeverisë dy javë kohë për të paraqitur një projekt në luftën ndaj ndotjes.

Grupi “Milieudefensie’’, iniciator i kërkesës për rishqyrtim të vendimit, ka deklaruar se mijëra persona vdesin çdo vit dhe qindra mijëra janë të sëmurë për shkak të ndotjes transmeton Atsh.

”Testet e kryera në 58 qytete në të gjithë vendin, në vitin 2015, përcaktuan se niveli i dyoksidit të azotit tejkalonte standardet europiane në 11 njësi administrative”, sipas grupit.

Me kërkesë të ambientalistëve, një gjykatë e Hagës vendosi në shtator të vitit 2017 në favor të tyre, por qeveria apeloi vendimin.

Gjykata e Apelit anuloi vendimin e gjykatës së distriktit të Hagës, me pretendimin se ambientalistët nuk kanë vënë në dispozicion elemente të mjaftueshme për të provuar që qeveria po shkel standardet në aspektin e ndotjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb