Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për heqjen e masës së sigurisë. GJL ka vendosur të lërë në fuqi masën ndaj Berishës, atë të arrestit shtëpiak. Berisha ndodhet prej 3 muajsh në arrest shtëpie për çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani” gjatë kohës kur ai ishte në detyrën e kryeministrit.

Me relator gjyqtarin Sokol Binaj, Gjykata e Lartë la në fuqi këtë të martë vendimin e Gjykatës së Posaçme duke e lënë të pandryshueshme masën për Berishën të marrë që në 30 dhjetor 2023.

“Kolegji Penal, pasi shqyrtoi ne teresi dhe ne themel te gjitha shkaqet e parashtruara ne rekursin e paraqitur nga Z. Sali Berisha, vendosi: Lenien ne fuqi te vendimit nr. 15 date 25.01.2024,  te Gjykates se Apelit te Posaçëm per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb përcolli nga seancac e mbajtur në Gjykatën e Lartë. “Berisha ka “trokitur” në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke thënë se nuk ka kushte ligjore, që të mbahet në këtë situatë. Sipas mbrojtjes, Berisha nuk ka mundësi që të ikë apo të prishë provat. Pavarësisht pretendimeve të Berishës, edhe betejën në Gjykatën e Lartë e humbi. Berisha ka të drejtë të kërkojë revokimin e masës në GJKKO“, raportoi gazetarja Lala.

Berisha humb betejën e radhës
Ish-kryeministri Sali Berisha nën hetim për korrupsion në lidhje me procedurën e privatizimit të ish-klubit Sportiv “Partizani” humbi betejën e radhës në përballjen me drejtësinë shqiptare.

Gjykata e Lartë vendosi në dhomë këshillimi të mos pranojë rekursin e deputetit demokrat dhe të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpi” me mbikqyrje policore, firmosur ndaj ish-kryeministrit Berisha që me 30 dhjetor 2023. Përmes avokatëve, Berisha synonte heqjen e kësaj mase, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushte dhe kritere që ai të mbahet në arrest shtëpie. Por kërkesat e tij nuk janë gjetur të drejta nga kolegji penal i gjykatës supreme.

GJKKO rrëzoi dje Malltezin
Një ditë më herët Gjykata e Posaçme, vendosi të rrëzojë një tjetër kërkesë të ish-kryeministrit për revokimin e të njëjtës masë. Sali Berisha është nën hetim për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dyshohet për korrupsion e pastrim parash.

Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij të privatizojë ish-klubin sportiv. SPAK ka vendosur të zgjasë afatet e hetimit edhe për 3 muaj dhe pritet që ky vendim i prokurorëve të posaçëm të miratohet nga gjykata. Sali Berisha thotë se arrestimi i tij është politik dhe se mbajtja në arrest shtëpie, po bëhet me qëllim që t’i digjet mandati i deputetit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: