Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Familja e Denis Jangullit, një prej besimtarëve myslimanë shqiptarë që iu bashkua ISIS në Siri dhe që mendohet të ketë humbur jetën gjatë luftimeve, vazhdon prej 10 muajsh betejën gjyqësore për të shpallur të zhdukur të afërmin e saj.

Kërkesa është bërë nga motra e tij, S.Sh., dhe prej përgjatë këtyre muajve gjykata e Tiranës ka zhvilluar pesë seanca gjyqësore. Në seancën e fundit, të zhvilluar në fillim të nëntorit 2015, gjykatësi Astrit Faqolli ka vendosur t’i drejtohet me shkresë Ministrisë së Brendshme për të verifikuar në sistemin TIMS lidhur me hyrje-daljet e shtetasit Denis Jangulli për periudhën nga viti 2012 e në vazhdim.

Përgjatë kësaj periudhe Jangulli mendohet të ketë udhëtuar nga Rinasi drejt Turqisë dhe mandej ka hyrë në Siri, ky dyshohet të ketë luftuar për llogari të organizatave terroriste Al Nuisra dhe ISIS. Për faktin se fati i shumë prej besimtarëve myslimanë që janë rekrutuar dhe dërguar në Siri për xhihad luftarak nuk dihet dhe gjykata të paktën në rastin konkret, nuk mund të dalë në një vendim, pa qartësuar situatën, ka vendosur të kërkojë informacion për lëvizjet e Jangullit jashtë vendit, kohën kur ka udhëtuar dhe destinacionin. G

jithashtu, gjykata i është drejtuar me një kërkesë zyrtare edhe Shërbimit Informativ Kombëtar nëse ka të dhëna lidhur me veprimtarinë e Denis Jangullit si jashtë dhe brenda territorit të Shqipërisë. Në fakt, Shërbimi Informativ i ka dorëzuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda një raport voluminoz, ku jepen të dhëna për besimtarët myslimanë që kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe kanë luftuar atje përkrah organizatave terroriste. Në raportin e SHISH përmendet edhe rasti i Denis Jangullit dhe fakti që ky i fundit dyshohet të ketë humbur jetën. Por, nuk ka të dhëna më të hollësishme. Ky raport, me shumë gjasë do t’i vihet në dispozicion gjykatës, e cila më pas do të vendosë ose jo për të pranuar kërkesën e familjes së Denis Jangullit për shpalljen e tij të zhdukur.

KËRKESA E FAMILJES
Më 26 janar 2015, S.Sh. iu drejtua gjykatës së Tiranës me një kërkesë për shpalljen të zhdukur të vëllait të saj, Denis Jangulli, i biri i Avniut, i dtl. 23.01.1985, i lindur në Dibër, Peshkopi dhe me vendbanim në Tiranë, rr. “Jordan Misja”, pranë xhamisë “Brrakës”. S.Sh. kërkon gjithashtu nga gjykata caktimin si kujdestare të pasurive të tij, bashkëshorten e 29-vjecarit, J.LL.. Denis Jangulli, baba i dy fëmijëve, është një prej shumë besimtarëve myslimanë shqiptarë, që sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda u rekrutuan dhe dërguan për Xhihad luftarak në Siri.

Në shtëpinë e farmacistit Denis Jangulli, njoftimi për vrasjen e tij erdhi me telefon. “Denisi ndërroi jetë në Siri. Mos bëni asnjë gjë që Denisi nuk do të dëshironte”, ky është mesazhi që i mbërriti familjes së Jangullit nga një numër i panjohur, përmes të cilit njerëzit e tij mësuan lajmin e hidhur. Denis Jangulli ka dyshime të forta të jetë rekrutuar dhe dërguar drejt Sirisë nga grupi prej nëntë personash që po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku mes të pandehurve janë dhe dy imamët e vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re dhe asaj të Mzezit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: