FIER- Pas arrestimit të një vajze të re gjatë ditë së djeshme e identifikuar si Anna Malaj, 31 vjeçe, banuese në fshatin Visokë, Mallakastër, e cila ishte kthyer në “tmerrin” e karburanteve të qytetit të Fierit, policia ka arrestuar sot edhe bashkëpunëtorin që është njëkohësisht kushëriri.

Në pranga ka përfunduar Emiljano Grembi, 22 vjeç, banues në Belinë Patos, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 32-vjecaren kanë grabitur me armë 1 karburant dhe ka mbetur në tentativë grabitja e dy karburanteve të tjerë.

Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, ndaluan autorin tjetër të vjedhjes me armë të karburanteve, shtetasin:

•Emiljano Grembi, 22 vjeç, banues në Belinë Patos.

Shtetasi Emiljano Grembi në bashkëpunim me kushërirën e tij, shtetasen Anna Malaj (e cila u ndalua nga policia një ditë më parë) nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja.

Në datën 07.07.2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.

Në datën 15.07.2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 140, 22, 25, dhe 278 të Kodit Penal.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb