Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar sot mësuesit me rastin e festës së 7 marsit.

Kryeparlamentari shkruan se është viti i dytë që kjo festë kaq e rëndësishme nuk është kremtuar ashtu siç meriton të bëhet.

Ndër të tjera, Ruçi vlerëson punën e palodhur të mësuesve, sidomos gjatë këtij viti kalendarik, që është shoqëruar me vështirësi të shumta nga prezenca e COVID-19 në vend.

“Është i dyti 7 Mars që e kremtojmë jo siç do të dëshironim. Mësueseve dhe mësuesve të Shqipërisë do t’u mungojë edhe sot melodia e zërave të gëzueshëm dhe përqafimet me nxënësit e tyre të dashur. Por pandemia nuk mund të ndajë ndjenjat, zemrat dhe dashurinë njerëzore.
Në këtë 7 Mars të kësaj pranvere të vështirë për të gjithë planetin, të gjithë ne shqiptarët, urojmë nga thellësia e shpirtit mësueset dhe mësuesit e fëmijëve, mbesave e nipërve tanë: Gëzuar këtë festë të bukur, edhe pse në një kohë anormale!
Bashkë me urimet, sot është dita të shprehim mirënjohjen për punën vetmohuese të mësuesve të Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit shkollorë, të cilat do të jenë më të vështirat e karrierës së tyre.
Sot është dita të reflektojmë e të rikujtojmë se progresi i vendit varet nga progresi i arsimit dhe progresi i arsimit është në duart e sigurta të mësueseve dhe mësuesve të Shqipërisë.
Në dorën tuaj, që e kini zgjedhur këtë profesion jo për lehtësi, por si një mision për të pasuruar e zbukuruar jetën e vajzave e djemve të Shqipërisë.
Mësuesi është profesioni më i ëndërruar dhe me më shumë ndikim në jetën e një vendi. Një komb merr fytyrën e mësuesve dhe të shkollave.
Mësuesit janë jo vetëm edukatorët, por lidershipi i vërtetë i kombit dhe i shoqërisë.
Nëse dëshirojmë t’u japim një shans fëmijëve tanë, le t’u japim më parë një shans mësuesve të Shqipërisë.

Për gjithkënd që e konsideron veten të suksesshëm, çelësi i suksesit është mësuesi.
Prandaj asnjëherë nuk duhet të rreshtim t’u japim mësuesve kushte më të mira, pagë më të mirë dhe mirënjohjen më të thellë”
, shkruan në urimin e tij Gramoz Ruçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: