TIRANE
Ndonëse nga shtëpia e “Big Brother” doli shpejt, Graniti mbetet një nga emrat më të lakuar të “Big Brother”. Teksa brenda shtëpisë pati një marrëdhënie të ndërlikuar me Fifin, jashtë duket se jeta e tij ka ndryshuar totalisht.

Kur hyri në shtëpi, ai la jashtë një marrëdhënie pezull. Historia e tij me aktoren kosovare u përfol edhe brenda shtëpisë, ku shumë ishin në dijeni të kësaj historie, ndonëse ai deklaroi se ishte single.

Por duket se kjo marrëdhënie tashmë është mbyllur dhe ish-futbollisti ka vijuar me jetën jashtë shtëpisë. Bëhet me dije se në festën e organizuar, Graniti ka qenë në shoqërinë e një vajze. Pak dihet për identitetin e vajzës që ka qëndruar në krah të ish-banorit për gjatë gjithë natës.

Së bashku me sportistin kosovar, kanë qenë edhe ish-banorë të tjerë. Dj Dagz dhe Dj Pm kanë qenë bashkë me të në tavolinë. Natyrisht që pranë tyre nuk kishin sesi të mungonin edhe partneret e tyre, Einxhel Shkira dhe Sarah Berisha. Mesa duket kjo paska qenë tavolina e çifteve të Kosovës, duke qenë se edhe Graniti dhe vajza në fjalë kanë qëndruar bashkë me dy Dj përgjatë festës.

Por ajo që ra në sy është fakti se përgjatë mbrëmjes ai nuk ka pasur asnjë kontakt me Fifin. Mbrëmjen e së martës, në “Post Big Brother”, Fifi u shpreh se tashmë ka një marrëdhënie miqësore me Granitin.

Kështu këngëtarja konfirmoi se gjithçka çfarë ndodhi në shtëpinë e “Big Brother” ishte mbyllur brenda lojës. Kujtojmë se Fifi aktualisht ka nisur një lidhje dashurie me Adisin, ish-burrin e Adrola Dushit. Çifti që ka disa javë së bashku, ishin edhe në festë.

Përgjatë gjithë kohës ata janë shfaqur duke u puthur e përqafuar të pashqetësuar nga sytë e kureshtarëve. Ndonëse deklaroi se tashmë me ish-futbollistin ishin miq, Graniti dhe Fifi as nuk kanë folur në festën e organizuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: