Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ në News24 ka folur për grevën e Albcontrol disa ditë më parë që shkaktoi kaosin me bllokimin e fluturimeve në Shqipëri.

Balluku thotë se jo gjithë kontrollorët kanë pasur qëllimet e grupit udhëheqës, që sipas saj ka pasur qëllime joetike dhe të mira.

Po ashtu ajo thekson se të gjithë kontrollorët janë kthyer në punë, përveç atyre që dolën para drejtësisë dhe disa të tjerëve që kanë pasur apo kanë problem shëndetësore.

 INTERVISTA

Ishte një javë intensive zonja Balluku me situatën që u krijua në aeroportin e Rinasit, por tashmë duket se situate është rikthyer në normalitet, për të mos thënë se përfundoi totalisht…

Balluku: Ka përfunduar tashmë, duke nisur dita e enjte në orën 21, kanë rinisur të gjitha operacionet në Albcontrol, janë në normalitet të plotë. Janë rikthyer kontrollorët e trafikut ajror në punë, në detyrë dhe deri tani nuk ka patur asnjë problem.

Sa kontrollorë janë rikthyer në detyrë?

Balluku: Të gjithë kontrollorët janë rikthyer përveç atyre që tashmë iu duhet të përballen me ligjin, por edhe atyre që përgjatë kohës së grevës nuk ishin në punë për arsye shëndetësore, dikush me covid, dikush për sëmundje të tjera. Kjo ishte edhe arsyeja pse u zgjodh koha besoj. Pra ishin më pak kontrollorë të disponueshëm, më pak se zakonisht, kështu që edhe numri i atyre që bënë grevë, më pak se 48. Nuk është se janë gjithë kontrollorët e trafikut ajror, janë pothuajse gjysma sepse kontrollorët në total janë 78 licenca nëse unë nuk gabohem. Megjithatë unë realisht do desha t’u lija frymemarrje kontrollorëve dhe ata tashmë të vazhdojnë normalisht punën e tyre. Për gjithçka ka ndodhur ne po e shikojmë, drejtësia po vazhdon punën e saj dhe besoj se është një analizë e madhe për t’u bërë edhe nga vetë Albcontrol edhe nga vetë ministria si edhe nga të gjitha institucionet e tjera të përfshira.

Këta kontrollorë, janë kthyer me të njëjtat kushte pune? Me të njëjtat paga?

Balluku: Nuk kemi patur asnjë negociatë. Negociatën e fundit meqënëse kontrollorët edhe e kanë regjistruar dhe të them të drejtën kanë bërë shumë veprime joetike por që sërish po mundohem t’i kuptoj, nuk e di…Ata kanë qenë të udhëhequr nga një grup i cili i ka patur të gjitha qëllimet jo vetëm joetike, por i ka patur dhe jo të mira, kështu që negociata e fundit ka qenë ajo dhe ne nuk jemi ulur për të folur më me kontrollorët. Kemi pasur siç ju thashë komunikimin publik. Edhe nga kryeministri edhe nga unë u është bërë thirrje që duhet të ktheheshin në pozicionin e punës se përndryshe nuk do të vazhdonte më marrëdhënia e punës me ta. Kështu që janë kthyer të gjithë. Kanë deklaruar se tashmë janë të aftë për të operuar, e kanë dërguar me shkrim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb