Kukësi ishte nga të paktët ekipe që kërkonte rikthimin në fushë në një kohë kur verilindorët besojnë ende tek titulli kampion. Që nga 18 maji, ekipi i Orges Shehit u shpërngul në Elbasan ku zhvilluan një mini fazë përgatitore për të qenë gati, aq sa munden, për rifillimin e sezonit. Trajneri i Kukësit shprehet i kënaqur me punën e bërë ndërsa grupi është i plotë, përfshi këtu edhe Vesl Limaj i cili është rikthyer nga Gjermania, ku ishte bllokuar këtë periudhe, por nuk pritet të jetë në fushë pasi ende nuk është në 100% të formës së tij:

“Pas një periudhe shumë të gjatë për shkak të asaj që ndodhi, ne jemi shumë të kënaqur që rikthehemi në fushë. Jemi përgatitur me aq mundësi sa kemi pasur, në mënyrë që të jemi gati për kampionatin. Për shkak të periudhës së gjatë të pezullimit, më shumë i frikësohem dëmtimeve dhe shpresoj që të mos kemi probleme në këtë drejtim.

Ndeshja me Luftëtarin? Në pozicionin ku jemi, çdo ekip ka rëndësinë e vetë, 3 pikët janë njësoj si me Partizanin dhe Luftëtarin dhe do të luajmë për fitore.

Ne u grumbulluam në Elbasan duke ditur për kushtet e mira që janë këtu dhe rëndësinë që i dhamë kësaj faze, në mënyrë që skuadra të qëndrojë bashkë dhe për tu përgatitur sa më mirë për kampionatin, na ka shërbyer shumë. Jam i kënaqur për mënyrën se si janë stërvitur çunat me një seriozitet maksimal. Me ne është bashkuar edhe Limaj, i cili nuk mund të jetë 100%, por grupi është i plotë.”, u shpreh Shehi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: