FRANKFURT- Sot Fondi Evropian për Investimet (FEI) dhe Grupi ProCredit kanë nënshkruar një marrëveshje për rritjen e huadhënies për ndërmarrjet SME si dhe për kompanitë me kapacitet deri në 500 punonjës, në kuadër të financimit InnovFin – BE për novatorët, një iniciativë kjo e mbështetur nga Komisioni Evropian.

Marrëveshja e re i mundëson Grupit ProCredit të ofrojë mbështetje financiare për kompanitë me një total prej 250 milion Eurosh nëpërmjet bankave ProCredit që operojnë në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Bullgari, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Moldavi, Rumani dhe Serbi. Këto banka përfitojnë nga mbështetja e një garancie të dhënë nga FEI si dhe në kuadër të Horizont 2020, Programit të BE-së për Kërkimin dhe Inovacionin.

Ky nënshkrim i mundëson bankave ProCredit të ofrojnë mbështetje financiare shtesë me kushte të favorshme për ato kompani novatore, që kanë plane të mira investimi të cilat ndikojnë në modernizimin dhe zhvillimin e tyre.

Drejtori Ekzekutiv i FEI, Pier Luigi Gilibert thotë: “Jam i kënaqur që nënshkruajmë këtë marrëveshje garancie me grupin ProCredit. Kemi punuar më parë me Grupin ProCredit dhe jemi të sigurt se do të vazhdojnë të mbështesin në mënyrën e duhur bizneset novatore dhe ato në rritje që kanë nevojë për mbështetje financiare”.

Carlos Moedas, Komisioneri Evropian për Kërkimin, Shkencën dhe Inovacionin, u shpreh: “Marrëveshja e huas, e mbështetur nga BE-ja, nënshkruar sot është e hapur për SME-të në Shtetet Anëtare të BE-së si dhe vendet e Evropës Juglindore të përfshira në Programin Horizon 2020. Objektivi i saj është ndihma për nxitjen e investimeve tek kompanitë novatore për promovimin zhvillimit dhe vendeve të punës.”

Borislav Kostadinov, anëtar i Bordit të Menaxhimit të ProCredit Holding shton: “Jemi krenarë që ProCredit është grupi i parë i bankave që nënshkruan garancinë ombrellë InnovFin SME për operacionet e saj në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Bullgari, Maqedoni, Moldavi, Rumani dhe Serbi. Kjo do të stimulojë ide dhe investime të reja nga klientët tanë dhe në këtë mënyrë do t’ju mundësojë atyre rritjen e konkurrueshmërisë. Si banka të specializuara për t’i shërbyer kompanive SME në rajon, e dimë se teknologjia moderne, mendimi novator, si dhe orientimi ndaj mjedisit janë faktorët kyç për zhvillimin në të ardhmen. Kjo vlen njësoj si për klientët tanë ashtu dhe për operacionet tona si banka.”

Synimi i Garancisë InnovFin SME është inkurajimi i bankave ose institucioneve financiare të tjera për t’ju dhënë hua SME-ve që dëshirojnë të investojnë dhe/ose për kapital qarkullues për mbështetjen  e aktiviteteve kërkimore dhe novative, me mbështetjen financiare të BE-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: