Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i ka bërë thirrje juntës ushtarake në Mianmar që të respektojë vullnetin e popullit në zgjedhjet e fundit.

Guterres mbajti një fjalim në seancën e 46-të të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, ku ai ftoi juntën ushtarake në Mianmar që t’i japë fund politikave të saj shtypëse.

“Lironi të burgosurit. Përfundoni dhunën. Respektoni të drejtat e njeriut dhe vullnetin e popullit në zgjedhjet e fundit”, tha Guterres.

Duke theksuar se ka mirëpritur thirrjen e bërë më 12 shkurt nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut që “ndaj Mianmarit të merret vendim për embargo të armëve dhe ndalesë të udhëtimit”, Guterres shprehu mbështetjen e tij ndaj popullit të Mianmarit për “kërkim të demokracisë, paqes, të drejtave të njeriut dhe mbizotërim të ligjit”.

“Demokracia në Mianmar u minua me një fuqi të pamëshirshme”, theksoi Guterres, duke shtuar se duke injoruar parimin e “llogaridhënies” ka shkelje serioze, përfshirë edhe “spastrimin etnik” kundrejt pakicës së popullit Rohingya.

Pasi tërhoqi vëmendjen se racizmi, antisemitizmi, islamofobia, dhuna kundër pakicave, homofobia, ksenofobia dhe nxitja e armiqësisë ndaj grave “nuk është një gjë e re”, Guterres theksoi se lëvizjet pro ekstremizmit janë kërcënim i brendshëm numër një në shumë vende.

Guterres gjithashtu theksoi se grupet e urrejtjes në fjalë duartrokiten edhe nga njerëz në “pozicione me përgjegjësi”.

Grusht shteti në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet, Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD).

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe shumë vende, përfshirë Turqinë, reaguan ashpër ndaj puçit ushtarak. SHBA-ja vendosi në rendin e ditës rikthimin e sanksioneve ndaj Mianmarit.

Kundër grusht shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria shpalli shtetrrethim në disa qytete.

Teksa vazhdon gjykimi në gjykatat ushtarake ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë të arrestuar, raportohet se Suu Kyi do të qëndrojë nën arrest deri në seancën gjyqësore që është caktuar për më 1 mars.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb