TIRANE– Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, është takuar ditën e sotme me banorë të Njësisë Bashkiake numër 9 dhe 5, si dhe të zonës Kodra e Priftit. Banorët e këtyre zonave të kryeqytetit i kanë shprehur kandidatit të PD-së shqetësimet e tyre për papunësinë, varfërinë, çmimet e rritura.

“Unë kam 2 muaj pa drita, m’i kanë prerë, kam bërë aplikimin dhe nuk po më vijnë”, shprehet qytetarja e njësisë bashkiake numër 9.

“Kam dy vite që jam kthyer, por është një zhgënjim i vërtetë”, shton një tjetër qytetar.

Kandidati Kosova është takuar edhe me një grup pensionistësh të njësisë 5 në Tiranë,l të cilët i kanë paraqitur shqetësimet e tyre.

“Nëqoftëse ka mundësi, ju lutem të shikoni formën e re të shpërndarjes së pensioneve, trajtohen pensionistët si të jenë bagëti”.

Kandidati Kosova u zotua se do të marrë përgjegjësi, për t’iu dhënë një zgjidhje përfundimtare shqetësimeve të qytetarëve, aty ku është e mundur.

“Puna është marrë me përgjegjësi, mos t’i ikim halleve, ky është i gjithë sekreti. Njerëzit ankohen nga papunësia, rritja e energjisë elektrike, rritja e taksave, e kostove të shkollimit, po ta marrësh pak më thjesht, lekët e pakta që ata kanë në xhep, janë pakësuar edhe më shumë”, shprehet Halim Kosova.

Ndërsa banorët e Kodrës së Priftit, iu ankuan Halim Kosovës për faturat e larta të energjisë elektrike, rritjen e çmimeve, papunësinë dhe varfërinë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb