Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vizituar Tregun Artizanal të Krujës, ku ka zhvilluar takime me bizneset lokale.

Ai ka kujtuar atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, ku një breshëri plumbash u derdhën në një automjet me të cilin udhëtonin 4 të rinj, ndërsa është ndalur edhe te vrasja e ndodhur në Lezhë.

“Ndaj u bëj thirrje qytetarëve të Krujës, pavarësisht nga bindjet politike, nuk është çështja për PD-në këtu apo për ndonjë parti tjetër, çështja është në radhë të parë për xhepin tënd, për pensionin tënd, për rrogën tënde, për biznesin tënd.
Krujës i premtoj investimet më serioze, me ujësjellësin, në lidhjen me Tiranën, në zonat turistike të cilat nuk arrihen dot.
I premtoj çlirimin e çdo centimetri katror të këtij vendi nga banditët, nga vrasësit, nga gjobëvënësit.
Ju e morët vesh, nga një masakër në një masakër tjetër.
Mbrëmë rrugët e Tiranës u skuqën, 4 vetë morën breshëri dhe gjer tani narkoshteti nuk është në gjendje të thotë se çfarë ishin ato, por kurrë nuk mund të gjuhej mbi një 11-vjeçar.
Mirëpo njeriu që i ndërsen dhe u thotë hani kokën njëri-tjetrit, por më shërbeni mua, krijon këtë situatë.
Ne do bëjmë ligjin dhe ata të cilët përzihen, i lutem shumë çdo qytetari të mbajë shënim personin që u bën presion dhe u kërcënon për votën, absolutisht do shpallet terrorist pas këtyre zgjedhjeve. Pas këtyre zgjedhjeve ai do listohet si terrorist dhe do trajtohet si terrorist.
Ne do bëjmë ligjin!”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb