Rreth 20 persona janë plagosur të hënën në një qendër tregtare luksoze në zonën Ginza të Tokio, pas një incidenti ku një burrë i spërkati me një substancë të panjohur brenda ndërtesës.

Sipas Policia Metropolitane e Tokios, autori dyshohet se ka hedhur substancën pranë një bankomati në katin përdhes të qendrës tregtare. Zyrtarë të zjarrfikësve thanë se rreth 20 persona janë dërguar për trajtim mjekësor, pasi raportuan simptoma dhe një erë të pazakontë në ambient. Zona përreth qendrës tregtare u bllokua menjëherë pas incidentit, ndërsa ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit krijuan perimetër sigurie. Megjithatë, klientët vazhduan të hyjnë dhe të dalin nga ndërtesa përmes hyrjeve anësore.

Sipas dëshmive nga vendngjarja, disa persona u transportuan me barela drejt ambulancave, ndërsa ekipet me veshje mbrojtëse evakuuan pjesë të ndërtesës për kontrolle të mëtejshme. Transmetuesi publik NHK raportoi se lëndimet e të prekurve dukeshin kryesisht të lehta. Ngjarja ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara dhe luksoze të Ginza-s, një distrikt i njohur tregtar dhe turistik në Tokio.

Krimi i dhunshëm mbetet relativisht i rrallë në Japoni, e cila ka një nga normat më të ulëta të vrasjeve në botë dhe ligje shumë të rrepta për armët. Megjithatë, vendi ka përjetuar herë pas here sulme të rënda, përfshirë vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe në vitin 2022.

Autoritetet kujtuan gjithashtu incidente të mëparshme, përfshirë sulme me thikë dhe një rast të vitit 1995 në metronë e Tokios, kur u përdor gaz helmues në një sulm masiv. Hetimet për substancën e përdorur dhe motivin e sulmit po vijojnë nga autoritetet japoneze.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: