Një numër rastesh të dyshuara me hantavirus në një anije turistike në Atlantik kanë shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, pas raportimeve për të paktën tre viktima dhe disa të infektuar të tjerë. Situata ka nxitur debat dhe konfuzion mbi rrezikshmërinë reale të virusit dhe mundësinë e përhapjes së tij.

Sipas analizës së patologut dhe studiuesit George Pappas, të dhënat aktuale nuk mbështesin një skenar pandemik, duke theksuar se hantaviruset në përgjithësi nuk transmetohen lehtësisht nga personi në person.

Çfarë dihet për virusin

Hantaviruset janë një grup virusesh që gjenden kryesisht te brejtësit, të cilët i mbartin pa u sëmurur dhe i përhapin përmes sekrecioneve të tyre. Infektimi tek njerëzit ndodh zakonisht nëpërmjet kontaktit me ambiente të kontaminuara, ushqim të ndotur ose ekspozim ndaj brejtësve. Në varësi të rajonit, virusi mund të shkaktojë dëmtime të rënda të veshkave ose të sistemit respirator, me norma vdekshmërie që variojnë nga 10% deri në mbi 40% në disa variante amerikane.

Sipas informacionit të përmendur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), anija turistike me 88 pasagjerë dhe 49 anëtarë ekuipazhi kishte nisur udhëtimin nga Argjentina. Rasti i parë i rëndë është shfaqur shpejt pas nisjes, duke sugjeruar infektim të mëhershëm. Më pas janë raportuar edhe disa raste të tjera, kryesisht në kontakt të afërt me pacientin e parë, duke ngritur dyshime për një variant që mund të ketë transmetim mes njerëzve, siç është virus i Andeve, i njohur për raste të rralla të përhapjes direkte mes individëve.

Rreziku dhe hetimet
Ekspertët theksojnë se skenari më i mundshëm është një shpërthim i izoluar brenda anijes dhe jo një kërcënim global. Megjithatë, hetimet vijojnë dhe të gjithë kontaktet po monitorohen për një periudhë inkubacioni deri në disa javë. Sipas specialistëve, nuk ka trajtim specifik apo vaksinë për hantavirusin, ndërsa parandalimi mbështetet kryesisht te shmangia e kontaktit me brejtësit dhe zonat e kontaminuara. Autoritetet shëndetësore po ndjekin nga afër situatën, ndërsa rastet mbeten të izoluar në anije dhe nën mbikëqyrje të rreptë epidemiologjike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: