Avokati kroat Luka Mišetić, pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, ka deklaruar se mbrojtja do të apelojë aktgjykimin e shpallur nga Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas Mišetić, gjatë procesit gjyqësor janë bërë gabime të rëndësishme në interpretimin e ligjit dhe në vlerësimin e fakteve, të cilat, sipas tij, cenojnë drejtësinë e procesit.

Avokati ka ngritur gjithashtu pretendime për mënyrën e zhvillimit të procedurës, duke thënë se mbrojtja kishte shprehur vazhdimisht shqetësime për ndërhyrjet e drejtpërdrejta të anëtarëve të trupit gjykues përmes pyetjeve gjatë seancave.

“Gjatë gjithë gjykimit, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale”, ka deklaruar Mišetić, duke shtuar se, sipas mbrojtjes, ndërhyrjet e gjyqtarëve kanë cenuar përshtypjen e paanshmërisë.

Një tjetër çështje e ngritur nga mbrojtja lidhet me përfshirjen e Thaçit në rastin e vrasjes së Behajdin Allaqit. Mišetić pretendon se trupi gjykues e ka shpallur Thaçin përgjegjës për këtë vrasje, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar që çështja dhe provat përkatëse të mos diskutoheshin publikisht.

Sipas avokatit, kjo ka bërë që Thaçi të shpallej fajtor për një vepër për të cilën, sipas tij, provat nuk janë bërë publike.

“Mbrojtja argumenton se gjetjet e Trupit Gjykues për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara”, ka thënë Mišetić.

Ai ka shtuar se Thaçi e mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje dhe se do ta mirëpriste shqyrtimin publik të provave mbi të cilat është mbështetur vendimi.

“Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë”, deklaroi avokati.

Mišetić bëri të ditur se mbrojtja do të dorëzojë zyrtarisht njoftimin e apelit pranë Panelit të Apelit, me synimin për të kundërshtuar ato që i cilëson si gabime faktike, ligjore dhe procedurale në aktgjykim.

“Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb