Kryetari i sapozgjedhur i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri Çelo Hoxha ka reaguar, pasi Bashkia e Dibrës ka nderuar me titullin “Nderi i Qarkut Dibër” ish-kreun e presidiumit të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshin.

Hoxha shprehet se Haxhi Lleshi ka kryer krime gjatë periudhës së komunizmit. Ai shton se Lleshi ka firmosur ekzekutimin e të dënuarve politikë.

Dhënia e titullit nderi i qarkut Dibër për ish Kryetarin e presidiumit të kuvendit Popullor Haxhi Lleshi ka ngjallur indinjatë tek ish të persekutuarit gjatë regjimit komunist.

Celo Hoxha, i sapozgjedhur në krye të Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri, thotë se vendimarrja lokale bie në kundërshti me ligjet në fuqi që dënojnë krimet e komunizmit. Sipas tij Haxhi Lleshi është firmëtar i të gjitha vrasjeve politike të ndodhura nga viti 1953 e derisa drejtoi Presidencën e Kuvendit Popullor.

Në intervistën e dhënë për News 24, Hoxha analizon domosdoshmërinë e miratimit të dy ligjeve nga parlamenti shqiptar, ligjit të Lustracionit dhe Dekomuntizimit. Sipas tij dy ligjet e munguara për 30 vite do t’i prisnin rrugën glorifikimit të personave që kanë kryer krime gjatë diktaturës si dhe qëndrimit të tyre në pushtet.

“Haxhi Lleshi përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Në vitin 1995 me dekret të Presidentit të Republikës, Haxhi Lleshit  iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste”, tha Çelo Hoxha.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb