Nga Jorgji Kote
Prania e tetë Eurodeputetëve nga Brukseli nga pesë vende të ndryshme, përfshirë Zv.Presidentin e Parlamentit Europian, Nicolae Stefanuta më 27 dhe 29 Qershor 2026, përshëndetjet e tyre të zjarrta në mbështetje të protestës dhe prania në marshimin paqësor në rrugët e Tiranës i ka dhënë një dimension akoma më të gjerë europian Protestës madhështore në Tiranë në ditën e saj të 30-të jubilare.
Kjo është me shumë rëndësi mbasi Parlamenti Europian ka qenë dhe mbetet tribuna më e fuqishme përfaqësuese morale dhe institucionale në botë. Natyrisht Eurodeputetët, ndryshe nga zyrtarët e tjerë të lartë të BE-së janë të lirë nga çdo konflikt interesi, sepse përfaqësojnë elektoratet e vendeve anëtare të BE-ë dhe janë zgjedhur drejtpërsëdrejti prej tyre.
Rikujtojmë se edhe 30 vite më parë, në fillim të muajit Qershor 1996 Parlamenti Europian mirëpriti delegacionin e liderëve të opozitës së atëhershme fill pas farsës dhe masakrës zgjedhore të 26/28 Majit 1996. Duke qenë edhe vetë i pranishëm me ta në Bruksel, te tetë grupet politike të Europarlamentit dhe drejtuesit e tij më të lartë mikpritën delegacionin, madje miratuan një rezolutë të fortë në mbështetyje të opozitës shqiptare dhe kundër dhuëns/farsës zgjedhore.
Kështu ka vepruar Parlamenti Europian edhe më vonë deri javët e fundit. Më 16 – 17 Qershor në Strasburg ai zhvilloi debate dhe diskutime plenare me rastin e miratimit të Raportit për vendin tonë me rekomandimet e njohura për qeverinë; vlen të përmendet amendameti i rëndësishëm lidhur me moratoriumin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura nga shteti dhe mbështetjen për protestat në mbrojtje të natyrës. Dhe tani së fundi me ardhjen e tyre në Tiranë, dukuri që pritet të përshkallëzohet më tej. Siç u tha edhe gjatë Protestës, kjo ishte hera e parë që Eurodeputetët erdhën në Tiranë ku takuan dhe iu bashkuan vetëm masave të popullit dhe protestuesve.
Këto qëndrime të Parlamentit Europian janë tejet të dobishme për kauzën e demokracisë dhe frymën e protestës. Ca më tepër se tani, një muaj pas fillimit të saj, Protesta paqësore është kthyer në revoltë qytetare madhështore. Me një mobilizim dhe ndërgjegjësim të paparë publik brenda dhe jashtë vendit, duke i dhënë fund apatisë dhe pasivitetit anakronik qytetar e duke i nxjerrë “ petët lakrorit” të prishur qeveritar. Me kërkesa që po artikulohen fort në shumë forma, për një ndryshim epokal me jehonë politike, mediatike dhe publike ndërkombëtare.
Ashtu siç u theksua edhe nga eurodeputetët, Protesta meriton vlerësimet më të larta, si lëvizje qytetare unikale në llojin e vet, me frymë europiane, si asnjë lëvizje tjetër, përfshirë atë të viteve ’90 por edhe në rajon, në Europë dhe me gjerë akoma. Mirëpo, nëse Parlamenti Europian e ka gjetur dhe po e luan mirë rolin e vet si mbikqyrës dhe promovues i demokracisë, kjo nuk po ndodh me dy institucionet e tjera kryesore të BE-së në Bruksel dhe me kancelaritë në kryeqytetet e të 27 vendeve anëtare. Eshtë tejet e çuditshme, brengosëse dhe indinjuese fakti që Komisioni dhe Këshilli Europian në Bruksel vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje varri.
Kur në protesta të mëparshme, edhe kur thyhej një xham bërtisnin me të madhe, ndërsa tani ”sus”?! Edhe Komisionerja Marta Kos më 15 Qershor në fjalën e saj në Parlamentin Europian në Strasburg “ lau gojën” duke shprehur besimin se qeveria do të zbatojë kërkesat mjedisore të BE-së; sikur të ishte hera e parë që qeveria premton por vetëm me “fjalë të mira dhe gurë në trastë”. Ndërsa për Protestën tha se është e drejtë themelore që po zbatohet dhe aq. Asnjë fjalë tjetër, ca më pak të mirë!
Lidhur me vendet anëtare të BE-së, tërhoqi vëmendjen takimi më 22 Qershor në Elize midis Presidentit Macron dhe Kryeministrit Rama. Tani, po të ishte fjala për ndonjë event ose veprimtari shumëpalëshe të planifikuar qysh më parë, ai takim disi i sforcuar edhe mund të justifikohej. Mirëpo në fakt, ishte thjesht një drekë miqësore, e cila nuk prishte asnjë punë po të ishte anulluar; ca më tepër kur protestat kishin tre javë që po tundnin Shqipërinë, Europën dhe botën! Natyrisht refuzimi nuk do të bëhej për shkak të protestës, por me finesën e njohur diplomatike franceze, me justifikime që mund të gjindeshin fare lehtë; psh diçka e paparashikuar në axhendën e Presidentit Macron dhe “u lamë”.
Gjithsesi, ftesa dhe drekë ishin vetëm gjysma e të keqes. E keqja tjetër më e madhe dhe pse jo e turpshme për Macron ishte se ata nuk lanë gjë dhe temë pa prekur në drekën e tyre, por për Protestën asnjë fjalë dhe asnjë sinjal publik; sikur ajo të mos ekzistonte dhe asgjë të mos kishte ndodhur në plot 3 javë të nxehta në Tiranë! Padyshim që ata kanë folur edhe për Protestën midis tyre në konfidence; ndaj asgjë nuk e pengonte Macronin ta përmendte të paktën me dy fjali Protestën për publikun si temë të bisedës me formula të njohura diplomatike dhe prapë do të ishte ok. Por, jo, hiç fare, diçka vërtet e paparë dhe e padëgjuar në praktikën diplomatike ndërkombëtare, sidomos nga Franca!!
Ndaj, me të drejtë eurodeputetja e mirënjohur franceze Manon Aubry e qortoi Macronin për këtë harresë dhe mungesë! Këtë e bënë në Protestë më 27 dhe 29 Qershor edhe dy bashkëatdhetarët tanë me banim në Francë, duke ia kërkuar me zë të lartënë frëngjisht Macronit të mos e presë më Ramën siç bëri më 22 Qershor.
Për fat të keq shembullin e paraardhësit të tij “tradhtar” e përsëriti në Tiranë 2 – 3 ditë më vonë ish Presidenti socialist, François Hollande. Mori medalje nga Rama, zhvilloi takime, foli pa thënë asgjë, por për Protestën “memec”! Ndonëse, ndryshe nga Macron, Holande nuk besoj se kishte ndonjë konflikt interesi!
Akoma më e pashpjegueshme është heshtja që po mbajnë edhe kancelaritë europiane. Asnjë deklaratë, qoftë edhe për mirësjellje nga Berlini, Roma, Madridi, Vjena… madje as nga ambasadat e tyre në Tiranë! Të kuptohemi, nuk po kërkon njeri me zor mbështetje, edhe pse do të ishte gjëja më e mirë europiane; por të paktën, sipas traditës, një prononcim sado të thjeshtë nga zëdhënësit e tyre për diçka të madhe që po ndodh në Tiranë! Nuk ka asgjë dhe asnjë kod politik dhe diplomatik që t’i pengojë që ta përshëndesin protestën, karakterin e saj qytetar dhe paqësor dhe t’i ftojnë palët për dialog me qeverinë dhe aktorë të tjerë politikë dhe civilë në vend, duke përfshirë ndërmjetësimin e tyre.
Protesta nuk figuron as me zë dhe as me figurë as në takimet e qeveritarëve të huaj me Ramën dhe ministrin e Jashtëm! Ndonëse ajo është pasqyruar si asnjëherë më parë nga mediat më të mëdha botërore; dhe kur në të gjitha vendet e BE-së dhe në SHBA bashkëatdhetarët janë ngritur si asnjëherë në protesta të ngjashme masive dhe paqësore në kryeqytetet dhe metropolet e mëdha botërore.
Falë edhe përvojës 10 vjeçare si diplomat në Bruksel, në Berlin dhe gjetkë, e njoh mirë filozofinë, gjuhën, sjelljen dhe makinerinë gjigande të funksionimit të BE-së. Mbi këtë bazë dhe të kontakteve të përditshme që vazhdoj të kem aty, po jap “pse-të “ e këtij qëndrimi indiferent nga Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së.
Pavarësisht nga fjalët, sloganet dhe samitet e shumta, problemi dhe shqetësimi i parë i madh me BE-në është se ajo po e sposton “prapa liste” demokracinë, duke vendosur stabilitetin gjeopolitik përpara saj. Ka kohë që sipas saj, duke promovuar stabilitetin, qoftë edhe me liderë autoritarë BE-ja “ është brenda” dhe më e sigurt për përballimin e sfidave madhore.
Ndërkohë, ajo sheh me indiferencë të çuditshme dhe pa asnjë përçapje si dikur që alternativat e ndërrimit të pushtetit në përgjithësi në Ballkan nuk garantojnë diçka më të mirë. Kësisoj, BE-ja po e pëson si ai që “ u dogj nga qulli dhe i fryn kosit”!
Themi kështu se pavarësisht nga gjendja e opozitës kudo, rotacioni i pushtetit duhet të jetë në rend të ditës, duke ndihmuar dhe forcuar opozitën por jo duke promovuar me zell liderë me nga 4 e 5 mandate. Sepse kur mësohesh gjatë me një lider qoftë edhe autokrat, të tjerët në opozitë nuk ta mbushin syrin; është si puna e atij që njeh vetëm sqeparin dhe gjithçka tjetër i duket gozhdë. Se ja, ç’të thuash për një lidere emblematike europiane, që kur po ia kritikonin një lider autokrat europian si “ bir kurve “ ajo u përgjigj duke i shtangur bashkëpunëtorët e saj se “ dakord, ama është biri ynë i …”
Vështirësia tjetër lidhur me qëndrimin e ftohtë sidomos të Brukselit ndaj Protestës është se burokracia e tij u beson kryesisht për të mos thënë vetëm “ gërmave” dmth shifrave, treguesve, deklarave zyrtare, raporteve dhe përfundimeve në dokumentat e BE-së; por jo ose me shumë vonesë “frymës” besimit, mobilizimit, lëvizjeve dhe protestave civile dhe qytetare. BE-ja shquhet për gjuhën “as mish as peshk” në raportet, deklaratat dhe dokumentat me plot fjalë dykuptimëshe, eufemizma dhe rregullore që pozita dhe opozita i “ lexojnë” sipas midesë dhe interesit të tyre.
Gjuha “kadife” e BE-së, e cila “as të ngroh dhe as të ftoh” ka spikatur sidomos në vlerësimet e saj për performancën e vendit dhe qeverisë sonë. Këto 13 vitet e fundit, raportet dhe fjalimet e liderëve të saj në Tiranë, Bruksel dhe gjetkë janë plot eufori dhe me “inflacione” lavdesh, duke i fryrë dhe fetishizuar arritjet; ndërkohë që deficitet dhe dështimet që bëjnë “ muu” i kanë kaluar me lutje dhe ledhatime.
Kujtdo që i bie rasti të bisedojë me zyrtarë dhe drejtues të BE-së dhe t’i tregojë me shqetësim difektet, deficitet dhe problematikat e nxehta shqiptare e sheh se në fillim ata dëgjojnë me vëmendje, tundin kokën dhe të thonë se “po, i dimë, i kemi shkruar në raportet tona dhe ia kemi përcjellë qeverisë e cila po punon!”.
Pastaj, fillojnë të tregojnë mbi sukseset, hapat dhe arritjet në të gjitha fushat me shifra maramendëse; deri te fitorja në zgjedhjet e kaluara pavarësisht, “çarçafit” me problemet serioze që ata vetë i kanë pranuar. Plus samitet që ka mikpritur Tirana.
Gjithashtu, zyrtarët e lartë të BE-së janë mjeshtra të vërtetë për relativizimin, kopsitjen dhe rrumbullakosjen e aferave dhe skandaleve ulëritës me klishenë se “këto ndodhin edhe në vendet anëtare të BE-së dhe rëndësi ka që ato po hetohen”.
Me një fjalë, ata japin një tabllo demek realiste, duke shtuar se i kanë kërkuar qeverisë dhe ajo i ka garantuar se…”. Dhe kur kjo nuk ndodh, ata e kritikojnë qeverinë sa për të larë gojën, i japin detyra për të ardhmen dhe kështu vazhdojnë sipas parimit “ shtyje, ta shtyjmë” ose tërhiq e mos e këput”!.
Fatkeqësi tjetër e madhe e BE-së, kësaj Perandorie Rregullash të Ngurta, siç e cilësojnë me të drejtë është se nuk e kontabilizon dhe as nuk numerizon dot besueshmërinë e humbur të qeverisë shqiptare e cila, siç po e tregon edhe Protesta ka rënë përtokë, si pasojë e difekteve, deficiteve, gënjeshtrave/mashtrimeve ulëritëse.
Imagjinoni Zylfon te Përralla me Ujkun që nuk e besuan se gënjeu vetëm dy herë, po te ne ku gënjeshtrat vazhdojnë çdo javë për 13 vite rresht, çtë themi?
I përmendëm këto fakte, aktorë dhe faktorë për të treguar se Protesta i ka rënë Brukselit dhe BE-së si një “ rrufe në qiell të hapët” madje e ka kapur atë “gafil”.
Për këtë arsye, institucioneve dhe vendeve të saj anëtare i duhet koha e nevojshme që “ta përtypë përpara se ta gëlltisë” këtë ngjarje në fakt të padëshirueshme për ta; për të bërë analizat dhe reflektimet e rastit, në përpjekje për t’u dhënë përgjigje pyetjeve “ kush, cili, çfarë, kur si dhe ku po shkon protesta”, bashkë me pikpyetje të tjera që kanë lindur nga kjo lëvizje e e re, e paparë, e madhe dhe paqësore. Rikujtojmë se edhe në ngjarjet e vitit 1996/1997, BE-ja dhe Këshilli i Europës ( KiE) e muarën me vonesë kthesën dhe iu deshën muaj të shpreheshin në favor të opozitës së atëhershme.
Ca më tepër tani problemi ndërlikohet se Protesta kërkon REVOLUCION, jo me dhunë, por paqësor, në kuptimin e zëvendësimit të gjithë kastës dhe qeverisjesë së dështuar politike 36-vjeçare me një brez qeverisje të re cilësore. Mirëpo, kjo nuk përputhet me filozofinë dhe praktikën stabilokratike europiane.
Ndaj, Brukseli dhe kryeqytetet e tjera të BE-së ndodhen në pozitë të vështirë, mbasi të paktën hë për hë nuk duan “t’ia prishin dhe ta lenë në baltë” aleatin e tyre qeveritar; pastaj, drejtuesit e saj më të lartë e kanë fryrë dhe pompuar Shqipërinë dhe Ramën si shembull dhe pararojë në procesin e anëtarësimit në BE.
Për pasojë, një distancim i shpejtë prej tyre do të dëmtonte dhe kompromentonte edhe imazhin e vetë BE-së, të drejtuesve të saj, sepse do t’i dilte boja euforisë, fasadës, fishekzjarreve dhe shampanjës së derdhur lumë për demek sukseset dhe arritjet spektakolare të qeverisë shqiptare dhe “liderit global”.
Pastaj, po parlamentet, opozita, media, opinioni publik në vendet e BE-së çdo të thonë? Me të drejtë do t’i kthehen Brukselit “ ama kjo qenka Shqipëria juaj si model integrimi?
Ja pse realisht do të duhet ende ca kohë për të parë një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të hapur të BE-së në favor të Protestës, nëse do të ndodhë një gjë e tillë.
Gjithsesi, përvoja tregon se ajo i njeh dhe i ndjek situatat, reagimet e qeverisë dhe komunikon me të në kanalet zyrtare dhe konfidenciale dhe vetëm kur e sheh se një protestë dhe rezistencë po bëhet e pa menaxhueshme dhe se qeveria e “ka të humbur davanë”, BE-ja ndërhyn me masat përkatëse, duke u rreshtuar në anën e fituesit.
Deri atëhere, BE-ja do të vazhdojë “avazin e Mukës” ndoshta me ndonjë deklaratë evazive se protesta është e drejtë themelore që ajo e inkurajon, duke i kërkuar qeverisë të marrë masa për korrigjimin e defekteve, dhe duke i ftuar palët në dialog gjithëpërfshirës, ku BE-ja është e gatshme të ndihmojë me ndërmjetësimin e saj. Dhe me këtë “u lamë”! Të tjerat, “duke parë dhe duke bërë”!
Për këtë arsye, po e theksojmë fort se vetëm përshkallëzimi i protestës, theksimi dhe fazimi i kërkesave të saj tanimë edhe me afate konkrete deri te ultimatume dhe ngulmimi për realizimin e tyre edhe me forma të tjera paqësore por më agresive mund ta detyrojë edhe BE-në të lëvizë nga “istikami”; po ashtu duke shtuar trysninë dhe veprimin aktiv me deputetët, me anëtarësinë e partitë politike, me qytetarët edhe në rrethe, me një bashkërendim më të mirë ndërmjet të gjitha palëve, shoqërisë civile, shkollave, biznesit, të papunëve dhe pensionistëve.
Ideja është që kjo protestë të krijojë një frymë mbytëse dhe trysni të papërballueshme për Kryeministrin në Tiranë dhe kudo në qarqe, duke e detyruar Ramën të menaxhojë me dinjitet situatën duke u dorëhequr sa nuk është më vonë.
Në këtë kuptim organizatorët e Protestës bënë shumë mirë që më 26 Qershor iu drejtuan ambasadave të vendeve perendimore me një Letër ku shpalosin programin, objektivat dhe drejtuesit e saj të përkohshëm. Kjo mund të vijojë me takime në selitë e Ambasadave të huaja, sidomos me atë të SHBA-ve dhe të BE-së në Tiranë por edhe me institucionet e saj në Bruksel. Me takime dhe kontakte aktive, duke u shpjeguar me shkrim dhe me gojë ekipet bashkërenduese, programet dhe alternativat pro-europiane. Duke i informuar dhe bindur për drejtësinë e kauzës së saj dhe të integrimit europian; se Shqipëria dhe rajoni do të kenë vetëm qar dhe jo zarar nga Protesta. Kjo do të ndihmojë shumë për të krijuar bindjen te faktori ndërkombëtar për nevojën e këtij NDRYSHIMI TE MADH.
Ndaj me të drejtë Protesta po e vlerëson dhe e promovon rolin dhe mbështetjen e aktëve dhe faktorëve madhorë ndërkombëtarë perendimorë, sidomos të SHBA-ve dhe BE-së; sepse me to kemi lindur, jemi rritur dhe jemi edukuar; me ndihmën dhe mbështetjen e tyre vendimtare në atë Dhjetor 1990 prindërit, vëllezërit dhe motrat e protestuesve të sotëm lëshuan kushtrimin emblematik “ E duam Shqipërinë si gjithë Eruropa” që po kumbon edhe sot më fuqishëm se kurrë në sheshe dhe bulevarde në Tiranë dhe kudo gjetkë.
Këtu është tejet e rëndësishme të theksohet se si më 1990 edhe sot nuk u kërkua thjesht dhe vetëm anëtarësimi në BE, ca më pak gjeopolitik, ekonomik apo gjysmak; kjo mbase u intereson qeveritarëve, por populli dhe rinia si atëhere dhe sot kërkon me forcë që mbi të gjitha të bëhemi si Europa, dmth të mendojmë dhe të jetojmë si gjithë Europa, çka për shkak të qeverisjeve të dështuara sot duket më larg se kurrë më parë.
Në fakt, mbështetja dhe bashkëpunimi sidomos me SHBA-të dhe BE-në i kemi kthyer në kulturë dhe pjesë të pandarë të jetës. Në fund të fundit, aty është destinacioni ynë edhe në Shqipërinë e Re të Protestës madhështore që ka ngjallur aq shumë shpresa dhe pritshmëri.
