Që prej ditës që ka lindur, vogëlushja Elona Çollaku nuk ka mundur të ecë. Jeta e saj është e gozhduar në shtrat prej 6 vitesh. Ajo vuan nga Spina Bifida dhe Hidrocefalia. Shpresa e vetme për vajzën që të ecë është trajtimi në Turqi që shkon rreth 30 mijë euro. Nëna e Elonës, bën thirrje për të gjithë shqiptarët që ta ndihmojnë sadopak për kurimin e së bijës.

Me buzëqeshjen e pafajshme dhe sytë plot shpresë, qëndron e mbërthyer në shtrat që prej ditës që ka lindur. Me vogëlushen Elona Çollaku jeta është treguar e padrejtë pasi disa sëmundje kanë pushtuar trupin e saj të imët. Jeton në një lagje periferike të kryeqytetit me të ëmën që ka sakrifikuar gjithçka për të përmirësuar gjendjen e saj shëndetësore.

Vogëlushja duhet të kryejë disa ndërhyrje kirurgjikale në Turqi pasi kjo është shpresa e vetme për tu çuar në këmbë. Nëna e 6 vjeçares, Ermira tregon se nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar kostot e trajtimit.

Ëndrra më e madhe e 6 vjeçares është që të ecë dhe të jetë si bashkëmoshatarët e saj. Me zërin që I dridhet dhe lot në sy, nëna I bën thirrje shqiptarëve që të ndihmojnë sadopak në trajtimin e vogëlushes.

*Për të kontribuar në ndihmën ndaj vajzës së vogël 6- vjeçare Elona Çollaku mund të telefononi në +355696300825

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb