Votuesit në Amsterdam që do të marrin pjesë në zgjedhjet holandeze më 22 nëntor, mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një vend të pazakontë, pikërisht në Shtëpinë e famshme të Anne Frank, njoftoi sot muzeu. “Shtëpia e Anne Frank është një nga ato vende që na kujton se çfarë mund të ndodhë kur demokracia dhe sundimi i ligjit zhduken,” shpjegoi muzeu në një deklaratë, duke shpresuar se më shumë të rinj do të shkojnë në votime.

Bashkia e Amsterdamit sqaroi se vendimi është marrë nga muzeu, i cili menaxhohet nga Fondacioni Anne Frank.

Kryebashkiaku Femke Halsema tha dje në një letër drejtuar këshillit të qytetit se “duke pasur parasysh situatën në Izrael dhe territoret palestineze, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë së kësaj qendre votimi”.

Votuesit do të mund të vizitojnë shtëpinë në kanalet e Amsterdamit, një nga atraksionet kryesore turistike të qytetit, pa pagesë. Në teori do të mbetet e mbyllur për vizitorët e tjerë, përveç nëse pjesëmarrja është e ulët.

Muzeu Van Gogh dhe një xhami në pjesën perëndimore të kryeqytetit holandez (Westermoskee) do të jenë gjithashtu qendra të veçanta votimi, sipas autoritetit komunal.

Holandezët shkojnë në kutitë e votimit më 22 nëntor në atë që duket se do të jetë një tërmet politik në vend, me parti të reja që tronditin pushtetin. Kryeministri në largim Mark Rutte ka njoftuar tërheqjen e tij nga politika pas një rekord prej 13 vitesh në krye të qeverisë.

Beteja do të jetë e ngushtë sipas sondazheve, me një parti të re të krijuar nga deputeti Pieter Omzigt që aktualisht mban një epërsi të ngushtë, e ndjekur nga partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë.

Muzeu ruan shtëpinë ku familja hebreje Frank u fsheh nga nazistët dhe ku Anna shkroi ditarin e saj të famshëm, një nga tregimet më të shquara të Holokaustit, i cili ka shitur rreth 30 milionë kopje.

Pas dy vjetësh, Ana Frank dhe familja e saj u arrestuan në vitin 1944. Ajo dhe motra e saj vdiqën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në vitin 1945. Muzeu mirëpret rreth një milion vizitorë çdo vit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb