Serbia ka pranuar nga Kosova eshtrat e tre personave me kombësi serbe, të cilët kanë vdekur gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve të 90-ta.

Njoftimin e bëri Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur. Dorëzimi i eshtrave është bërë përmes vendkalimit kufitar në Merdare. Siç thuhet, eshtrat e viktimave u morën në emër të familjeve nga përfaqësuesit e delegacionit të Beogradit në Grupin Punues për Personat e Zhdukur.

Në njoftim nuk bëhet e ditur se nga cili lokacion janë zhvarrosur këto mbetje mortore. Sipas deklaratës, procedura e zhvilluar të premten është pjesë e vazhdimit të procesit të identifikimit dhe zgjidhjes së fatit të viktimave dhe personave të zhdukur me kombësi serbe në Kosovë.

Më 26 tetor 2018, delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës miratuan procedurat për dorëzimin e eshtrave të viktimave. Marrëveshja ishte njoftuar pas takimit të Grupit Punues mes delegacioneve të Kosovës, Serbisë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Beograd.

Krerët e delegacioneve pjesëmarrëse, Ibrahim Makolli, Veljko Odaloviq dhe Fabien Bourdieu, patën thënë se ata prisnin që procedurat e miratuara do të ndihmojnë procesin e gjetjes së personave të zhdukur.

Sipas një raporti të lëshuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare, me bazë në Beograd, dhe i bazuar në një raport të Zyrës së UNMIK -ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësinë Ligjore, që nga viti 2001 në Serbi janë zbuluar katër varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në shtator të vitit 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb