Alexei Moskalyov, i cili humbi kujdestarinë e vajzës së tij 13-vjeçare dhe u dënua me dy vjet burg për “shpifje” ndaj ushtrisë ruse, është larguar nga Rusia, njoftuan sot autoritetet.

Ky rast është bërë simbol i represionit të pamëshirshëm të atyre që kundërshtojnë operacionin ushtarak të nisur 13 muaj më parë nga Rusia në Ukrainë. Por sot rasti i Moskalyov mori një kthesë të re kur një gjykatë në qytetin Efremov, 300 kilometra në jug të Moskës, njoftoi se burri, i cili ishte në arrest shtëpiak që nga 1 marsi, ishte larguar nga vendi.

“Vendimi u lexua në mungesë të të pandehurit, sepse ai është zhdukur dhe nuk është paraqitur në gjyq”, tha zëdhënësja e gjykatës Elena Mikhailovskaya.

Më herët, gjykata e shpalli Moskalyov, 54 vjeç, fajtor për shpifje ndaj forcave të armatosura ruse dhe e dënoi atë me dy vjet burg, dënim i rekomanduar nga prokurori.

Sipas një zëdhënëseje të gjykatës, Moskalyov u arratis natën e së hënës duke u gdhirë e marta. Avokati i tij, Vladimir Bilienko, tha se ai e kishte parë për herë të fundit të hënën.

Organizata joqeveritare Memorial denoncoi “represionin” ndaj Moskalyov dhe vajzës së tij, duke e konsideruar atë një “përpjekje për të frikësuar të gjithë ata që kundërshtojnë luftën”. “Ne e konsiderojmë Moskalyov një të burgosur politik,” shtoi organizata, e cila u shpërbë nga autoritetet gjyqësore ruse vitin e kaluar.

Ai u padit nga shkolla e fëmijës së tij

Çështja filloi kur Maria, vajza 13-vjeçare e Moskalyov, në një vizatim të saj në shkollë, kishte drejtuar raketa ndaj një gruaje dhe një fëmije që mbanin flamurin ukrainas. Në kuadër të ndjekjes penale të atyre që nuk janë dakord me luftën në Ukrainë, drejtori i shkollës ka thirrur menjëherë policinë.

Gjatë hetimeve kundër babait, autoritetet pretendojnë se kanë gjetur postimet e tij në internet ku ai kritikonte luftën. Për këtë ai u procedua për “shpifje ndaj ushtrisë”. Vajza e tij u dërgua në një shtëpi të miturish dhe iu ndalua çdo kontakt me të.
E ardhmja e familjes do të vendoset në një tjetër gjyq më 6 prill, ku Moskalyov rrezikon të humbasë përgjithmonë të drejtat e tij prindërore. Avokati i tij i tha AFP sot se Maria mund të dërgohet në një jetimore brenda muajit të ardhshëm.
Në shenjë të zemërimit që ka shkaktuar ky rast, një peticion është postuar në internet – pavarësisht presionit nga autoritetet – duke kërkuar që fëmija t’i kthehet babait të saj. Edhe kreu i grupit paramilitar Wagner, Yevgeny Prigozhin, mercenarët e të cilit po luftojnë në vijën e frontit në Ukrainë, shprehu mbështetjen e tij për Marian dhe kritikoi autoritetet lokale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb