Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka diskutuar me homologun e tij kinez për mundësitë e paqes në luftën gati dyvjeçare mes Kievit dhe Rusisë. Ky diskutim është pjesë e një përpjekjeje të Ukrainës për të forcuar raportet me Pekinin. “U takova me homologun kinez, Wang Yi, për të diskutuar për raportet dypalëshe, tregtinë dhe nevojën për të rivendosur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, shkroi Kuleba në X, që më herët njihej si Twitter. Biseda u zhvillua gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih.

Kuleba tha se diskutoi për planet e Ukrainës që të mbajë një samit botëror për paqe, samit për të cilin Zvicra është pajtuar që ta ndihmojë të organizohet. Ai tha se me homologun kinez “u patuam për nevojën e mbajtjes së kontakteve Ukrainë-Kinë në të gjitha nivelet dhe vazhdimin e dialogut tonë”.

Ministria e Jashtme kineze nuk ka publikuar detaje të bisedës Wang-Kuleba. Por, gjatë një adresimi në Munih, Wang tha se Kina ka këmbëngulur në promovimin e bisedimeve të paqes dhe që luan rol pozitiv në rivendosjen e paqes, sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria kineze të dielën. Ukraina ka kërkuar që të forcojë raportet me Pekinin dhe të marrë mbështetjen e Kinës për planin 10-pikësh të Ukrainës për paqe që përqendrohet në tërheqjen e trupave ruse nga territoret e pushtuara, rivendosjen e kufijve të vitit 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe të krijohet një kornizë që do të mbante përgjegjëse Moskën për veprimet e saj.

Kina, që ka thënë se ka “partneritet strategjik” me Rusinë, vitin e kaluar kishte paraqitur një plan të vetin për paqen që bënte thirrje për armëpushim, negociata dhe dhënien fund të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës. Por, plani i Pekinit ka marrë pak përkrahje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: