Nga: Ermelinda Hoxhaj

Mbrëmjen e djeshme u mbyll nënfaza e parë e uljes së vijës së kuqe në universitet, por edhe në këtë fazë, regjistrimi i fituesve ka qenë i ulët, duke lënë me mijëra kuota të paplotësuara. Në Universitetin e Tiranës janë rreth 2.000 kuota të lira, në këtë nënfazë, ku vetëm te Fakulteti i Ekonomisë janë 603 vende të paplotësuara. Këta kandidatë janë sinjalizuar nga sistemi online i klasifikimit pasi preferenca e tyre ka marrë ngjyrë të verdhë, dhe duke filluar nga sot, pra më 19 tetor, dhe nesër, më 20 tetor, ata kanë të drejtë të regjistrohen. Kandidatët që nuk regjistrohen brenda këtyre dy ditëve, humbasin të drejtën e regjistrimit. “Regjistrimi i maturantëve do të vijojë derisa të gjitha kuotat në universitete të plotësohen. Procesi tani vijon në faza dyditore për t’i dhënë mundësi maturantit të regjistrohet. Por me këtë ritëm pritet që regjistrimet të vijojnë deri ditën e fundit, më datë 27 tetor”, – theksoi dekani i Ekonomikut, Dhori Kule. Sipas Kules, maturantët duhet vetëm të tregohen të vëmendshëm në portalin “U Albania”, për të parë mundësitë që u ofrohen me zhvendosjen e vizës çdo ditë.
Kuotat e lira
Në fakultete vijon regjistrimi i maturantëve që shpallen fitues në fazat dyditore pas zhvendosjes së vizës për shkak të kuotave që lirohen, por sërish ka ende shumë vende bosh. Edhe pse sot është ditë pushimi, sekretaritë mësimore vijojnë procesin e regjistrimit të atyre kandidatëve që shpallen fitues me uljen e vijës së kuqe. “Pas raundit të fundit të regjistrimeve, në datat 17 dhe 18 tetor, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, kanë mbetur ende 603 kuota të paplotësuara, përkatësisht 182 në degën Financë, 240 në degën Administrim Biznes, 107 në Degën Informatikë Ekonomike dhe 74 në degën Ekonomiks. Regjistrimi për raundin pasardhës fillon në datën 19.10.2016, ora 08:00, dhe përfundon në datën 20.10.2016, ora 19:00. Ju kujtojmë se, nëse nuk regjistroheni në asnjë nga këto degë ku jeni shpallur fitues në datat 19-20 tetor, humbisni të drejtën e regjistrimit në FEUT në fazën pasardhëse. Gjithashtu, kujtojmë maturantët që aktualisht janë nën vijën e kuqe, të jenë të vëmendshëm për fazën pasardhëse, në datat 21-22 tetor. Pas datës 22 tetor, regjistrimet do të vazhdojnë me faza 48-orëshe, në përputhje me udhëzimin përkatës të MAS-it, deri më datë 27 tetor, e cila është dhe dita e fundit e regjistrimit të fituesve në universitet”, thuhet në njoftimin e Fakultetit të Ekonomisë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb