Nga: AURORA KOROMANI*TIRANE-Gjykatat në Shqipëri veprojnë me dy stan darde; njerëzit e thjeshtë i dënojnë me burgim të përjetshëm, djemtë e deputetëve i tolerojnë”. Ky është rrëfimi i babait të Edison Jahos, i cili në nëntor të vitit të kaluar, mbeti i vrarë në një nga lokalet e natës në kryeqytet. Namik Jaho, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, rrëfen se gjykata e ka dënuar autorin e ngjarjes, Kostandin Xhuvanin me 35 vite burg, pasi ai është djali i ishdeputetes Luiza Xhuvani. Madje, babai i 36-vjeçarit, shprehet se ish-deputetja nuk e ka marrë mundimin që të shkojë t’i takojë dhe të interesohet për vajzën e vogël, e cila duhet të rritet jetime për shkak të djalit të saj. Namik Jaho tregon edhe momentet e vështira kur e mori vesh ngjarjen, ndërkohë që shprehet se djali i tij nuk merrej me pazare droge. Mëngjesin e 5 nëntorit, Kostandin Xhuvani, në një lokal nate në kryeqytet vrau Edison Jahon, Enea Xhaj, Arbër Demirajn dhe italianin Giampaolo Azzola, krim për të cilin, djali i ish-deputetes së PS-së u dënua me 35 vite burg. Gjykata e Tiranës sapo ka dhënë vendimin për djalin e ish-deputetes së PSsë, Luiza Xhuvani, duke e dënuar me 35 vjet burg. Si e gjykoni ju një vendim të tillë? Vetëm këtu te ne ndodh që një person të vrasë katër persona dhe të dënohet me 35 vite burg. Ai vrau djalin tim dhe tre të tjerë, dhe një person tjetër e kishte vrarë më parë, dhe gjykata i dha gjykim të shkurtuar dhe e dënoi vetëm me 35 vite burg. Nëse do kishte qenë një person tjetër në vend të djalit të ish-deputetes, ai tani do kishte marrë burg të përjetshëm. Por, në këtë rast duket qartë që, fakti se ai është djali i një ish-deputeteje ka ndikuar në vendimin e gjykatës. Por, gjykata nuk e ka marrë parasysh faktin tjetër, se pikërisht i njëjti person më mori jetën e djalit dhe më la një vajzë të vogël jetime, për të cilën nuk kanë menduar fare. Por, gjykatat në Shqipëri veprojnë me dy standarde; njerëzit e thjeshtë i dënojnë me burgim të përjetshëm, djemtë e deputetëve i tolerojnë.

 

Intervisten e plote e gjeni sot ne Gazeta Shqiptare ne print

 

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: