Selman Lajçi, 53 vjeç nga Kosova, por rezident në Zvicër është arrestuar dje nga Policia në Portin e Durrësit pasi në makinën me të cilën udhëtonte u zbuluan tre armë, një shotgan, një pushkë tip snajper dhe një pistoletë e fishekë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se 53-vjeçari do t’i çonte armët në Kosovë, ku ishte destinacioni i tij.

Sipas policisë së Durrësit, 53-vjeçari ka paraqitur dokumentet që armët i ka blerë në Zvicër, por dokumentet do përkthehen dhe do shihet nëse përbëjnë provë apo jo dhe nëse armët janë me leje.

“Armët janë me leje, kam dokumentacionin e plotë të blerjes dhe do t’i çoja në Kosovë”, ka thënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore në Durrës.

Policia e Durrësit thotë se ky i ka armët për trafik, për sa kohë që ligji në Republikën e Shqipërisë parashikon që armët që futen në Shqipëri duhet të hyjnë vetëm me ligj nga ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme.
Në rastin konkret subjekti nuk ka leje për armët dhe do akuzohet për trafik armësh.

53-vjeçari i ka kaluar nga Zvicra në Itali, ku i ka shpëtuar kontrollit të policisë italiane, por u kap në Portin e Durrësit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: