Gjykata ka dënuar me 8 vite burg ish-zyrtarin e lartë të policisë, Sokol Bode.

Ky i fundit, ishte i përfshirë në dosjen e “Habilajve”, e madje asokohe foto e tij me vëllezërit trafikantë bëri xhiron në rrjet. Në dosjen që “Balkanweb” ka siguruar për këtë rast, Bode, dyshohet se u ka ofruar ndihmë dhe ka mbajtur lidhje me trafikantët Habilaj, që të realizonin me sukses trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

“Nga hetimet e kryera rezulton se pjesëmarrës të këtij grupi kriminal janë edhe shtetasit Sokol Bode, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Dhërmi, i cili ka mbajtur lidhje duke ju ofruar ndihmë dhe mbështetje anëtarëve të këtij grupi kriminal me qëllim realizimin e trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë”,- thuhet në dosjen e siguruar nga “BalkanWeb”.

SI U LARGUAN NGA SHQIPËRIA TRE ISH-ZYRTARËT E PËRFSHIRË

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka shpallur në kërkim tre ish-zyrtarët dhe është e bindur se mosprangosja e zyrtarëve të lartë të policisë së qarkut Vlorë, ishte dekonsperuar nga kolegët e tyre.

Oficerët e policisë gjyqësore, kishin arritur të binin në gjurmët e ish-funksionarëve të policisë 2 ditë para se të lëshoheshin 3 urdhërat e ndalimit, ku për Sokol Boden gjykata kishte vendosur më herët “arrest në burg” në mungesë.

Për këtë arsye, -theksoi prokuroria- dyshimet se mund të ketë pasur rrjedhje të informacionit nga vetë strukturat policore, pasi të tre të kërkuarit ishin lokalizuar më herët dhe pritej vetëm arrestimi i tyre. Edhe pse në sistemin TIMS, Jaeld Çela ishte larguar më 22 tetor 2017 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit me një kompani fluturimi drejt shtetit Turk, ai, -thekson organi i akuzës- kishte hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë.

Burimet nga grupi hetimor konfirmuan se Çela kishte mundur të largohej përsëri jashtë territorit shqiptar mbrëmjen e 20 nëntorit duke i shpëtuar prangosjes.
Të njëjtën mënyrë kamuflimi kishin ndjekur edhe dy drejtuesit e tjerë të policisë Vlorë.

Sokol Bode ishte larguar me automjet nëpërmjet Pikës Kufitare të Muriqanit më date 29 gusht të këtij viti. Ndërkohë Gjergj Kohila ishte regjistruar në sistemin TIMS më 11 nëntor dhe kishte dalë nga pika kufitare e Kakavijës. Emrat e tre personave nën hetim, ishin regjistuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth një vit më parë, ku ish-drejtori i qarkut Vlorë, Jaeld Çela, së bashku me dy vartësit e tij, kishin siguruar kushtet për paprekshmërinë e grupit kriminal të Habilajve. Në tetor të 2016-s në zonën e Treblovës dhe Veshdanisht u sekuestruam rreth 23 tonë kanabis dhe u prangosën 6 persona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: