Pas lajmit të publikuar një ditë më parë se sheshi para pallatit të sportit “Flamurtari” në Vlorë i është dhënë për përdorim një subjekti politik për 2 muaj, ka reaguar zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija, në cilësinë e drejtuesit të Task-Forcës.

Pasi është vënë në dijeni të shqetësimeve të bëra publike nga një grup të këshilltarëve bashkiakë të subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, Mandija i ka kërkuar shpjegime Bashkisë së Vlorës.

“Zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija, në cilësinë e drejtuesit të Task-Forcës është vënë sot në dijeni të shqetësimeve të bëra publike nga një grup të këshilltarëve bashkiakë të subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, lidhur me mosmiratimin nga ana kreut të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli të kërkesës së këtij subjekti për përdorimin e sheshit para pallatit të sportit “Flamurtari” Vlorë me argumentin se ky shesh i është dhënë në përdorim një subjekti tjetër politik për periudhën 01.05.2017 –30.06.2017.

Duke pasur parasysh faktin se referuar Kodit Zgjedhor se periudha zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve si dhe me qëllim shmangien e keqpërdorimit dhe keqinterpretimit të aktivitetit institucional të administratës publike, bazuar në pikën 31 të VKM nr. 473, datë 01.06.2017, zv/Kryeministrja Mandija i kërkoi sot Kryetarit të Bashkisë Vlorë vënien në dispozicion të informacionit në lidhje me rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sakaq, zv/kryeminitrja Mandija me anë të kësaj shkrese kërkon të vihet në dijeni se për cilin subjekt politik është dhënë në përdorim sheshi; llojin e aktivitetit për të cilin është dhënë leja; praktikën e ndjekur si dhe bazën ligjore në të cilën është mbështetur në dhënien e lejes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb