Zbulohen të tjera detaje nga dosja hetimore në lidhje me atentatin e dështuar ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.

Emisioni “Në Shënjestër” në News 24 zbardh faktet se si autoritetet franceze ‘zbërthyen’ aplikacionin ‘Sky’ dhe morën përgjimet e anëtarit të bandës së Durrësit, Plaurent Dervishaj. Dervishaj me bashkëpunëtorët e tij, mendonin se ishin të painterceptueshëm, gati të padukshëm në membranën e tyre të krimit.

Por ajo që duket se i tradhtoi ishte pikërisht mendimi se mbrojtja e tyre ishte teknologjia. Ideja se aplikacioni ‘Sky’ sipas tyre ishte plani më i sigurt për të komunikuar dhe se hetuesit nuk do të mund t’i gjurmonin dot, treguan se grupi i Plaurent Dervishaj i kishte bërë llogaritë pa ekspertët e duhur. Kjo pasi nuk e kishin menduar se një ditë bisedat e tyre me sfond kriminal në këtë aplikacion, do të binin në duart e hetuesve. Ashtu sikurse ndodhi në përfshirjen e tyre në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në vitet e fundit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për atentatin ndaj Arjan Ndojit, asokohe prokuror i Durrësit, ngjarje të cilin ekspertët francezë, të vënë në kërkim të gjurmëve të një rrjeti kokaine, mundën që falë dekriptimit të aplikacionit ‘Sky’ të zbërthenin njëkohësisht edhe bisedat e këtij grupi kriminal, me bazë në qytetin bregdetar shqiptar.
Por si mundi prokuroria franceze që nëpërmjet aplikacionit ‘Sky’ me të cilin kishin komunikuar urdhëruesit dhe ekzekutorët e krimit, të zbërthente jo vetëm atë ngjarje, por edhe të tjera që po planifikoheshin ndërkohë?!

 

Çfarë përmbanin këto biseda që çuan në arrestimin e disa prej të dyshuarve dhe shpalljen në kërkim të Plaurent Dervishaj dhe Ramazan Rrajës?

Kjo dosje, e cila falë edhe ndihmës së autoriteteve franceze, çoi SPAK, drejt identifikimit të të gjithë pjesëmarrësve në këtë klan kriminal. Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ plani për ekzekutimin e prokurorit Arian Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, thuhet se nisi fillimisht me shkarkimin e aplikacionit ‘Sky’. Kjo me qëllim që ata të mos përgjoheshin nga organet ligjzbatuese, ndërsa grupi kriminal i Plaurent Dervishaj, e cilësonte të padepërtueshëm.

Por ky aplikacion nuk ishte i padepërtueshëm për hetuesit francezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë. Siç thuhet edhe në dosje, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb