Tirana nuk e ka nisur mirë sezonin, teksa në 19 javët e para renditet në vendine 3-të me 29 pikë. Gjithsesi, bardheblutë kanë fituar në 2 ndeshjet e fundit, ato ndaj Egnatias dhe ndaj Dinamos. Mbrojtësi i Tiranës, Erjon Hoxhallari ka dhënë një intervistë për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, ku foli për pritshmëritë, të ardhmen, apo edhe për trajnerin Orges Shehi që kaloi në anën tjetër të qytetit.

 

 

-Erjon, çfarë ka ndryshuar te Tirana, dukeni më të qetë, keni më shumë besim, nuk është e lehtë të fitohet me përmbysje në derbi…

Besoj që ka ndikuar edhe faza përgatitore, jemi njohur më shumë me teknikat e trajnerit. Bashkë me ekipin po fillojmë të kuptojmë lojën e njëri-tjetrit, kjo beson se është ajo që ka ndryshuar.

-Më në fund erdhi dhe goli juaj i parë, përpara se të largoheshit ishim mësuar me gola spektakolar, çfarë ndjesi të dha ky gol?

Jam i gëzuar për golin, edhe pse pak vonë, por ishte një gol që i shërbeu ekipit, na dha moral për të përmbysur atë ndeshje që po shkonte keq, për këtë jam i gëzuar. Shpresoj që të vazhdojë të shënoj, të ndihmoj ekipin.

-Shehi ishte ai që të kërkoi me insistim, si e shihni tani si rival?

Është e vërtetë që me profesor Gesin kam pasur një marrëdhënie të mirë. Ishte ai që më kërkoi të rikthehesha. Ka qenë kënaqësi të ribashkohesha më të, por futbolli kështu është, ai është te ekipi kundërshtar, i uroj suksese, përveç javës së 6-të, në derbi, do ta këtë të vështirë me ne. Më të vërtetë i uroj suksese, shpresoj të arrijë atë që ka arritur me Tiranën

-Mqs jemi te ky diskutim, po ju Hoxhallari do e pranonit një ofertë nga Partizani, Skuka tha që më mirë stërvitesha 6 muaj i diferencuar se sa te kaloja te Partizani…

Unë nuk mund të them që do ta pranoja apo jo, pasi jam në kontratë me Tiranën. Jam i gëzuar që ndodhem këtu. Sa i përket deklaratave të Skukës është zgjedhja e tij, nuk më takon mua të flas.

-A është Partizani ekipi për t’u mundur, ose më saktë, kë shihni si rivalin më të madh të Tiranës në garën për titull?

Për historinë e kampionatit shqiptar, është e qartë që Partizani është rivali më i madh i Tiranës, por nuk duhet të lëmë pas një ekip si Egnatia që ka bërë një ekip të mirë, ka bërë mirë si këtë vit edhe vitin e kaluar, por edhe Vllaznia është një ekip për t’u marrë në konsideratë

-Çfarë i duhet Tiranës për të konkurruar për titull?

I duhet vetëm që të shoh ndeshjen e radhës, jo fundin e kampionatit. Që në fillim të sezonit flitet shumë që Tirana do të mbyll kampionatin, nuk e diskuton etj, por kjo gjë na dëmton shumë, prandaj duhet të shohim ndeshjen e radhës, ta fitojmë atë, pastaj në fund të arrijmë atë objektivin

-Në aspektin personal, si është ky rikthim, çfarë synon Hoxhallari nga kjo aventurë me Tiranën?

Nuk është diçka e keqe që u riktheva, pasi Tirana është ekipi më i titullar në Shqipëri, ekip me histori. Shumë lojtarë nga kampionati shqiptar kanë ikur përsëri. Shpresoj që edhe unë këtë vit të bëj një tjetër 6 mujor të mirë dhe të iki përsëri.

-Tirana investoi shumë në verë në mbrojtje, rikthehu 3 mbrojtës big, ju, Dokën, Micin, por pse po hasni kaq vështirësi në mbrojtje?

Është e vërtetë që u afruan shumë lojtarë, por me largimin tonë, si unë si Albi, deri sa krijuam atë harmoninë me njëri-tjetrin, kjo ishte ajo që na mungonte. E kam thënë edhe herë tjetër që repartin defensivë nuk e bënë vetëm mbrojta, por fillon që nga sulmi, edhe njëjta gjë edhe me sulmin, nis nga mbrojtja.

-Këtë javë luani me Teutën në transfertë, çfarë ndeshje prisni?

Unë mendoj që kjo do të jetë ndeshje më e vështirë për ne. Kemi pasur gjithnjë probleme me Teutën, është një ekip agresiv, sidomos në fushën e vet, është një ekip solid. Shpresojmë të shprehemi mirë në fushë, të bëjmë ato që kemi bërë gjatë stërvitjes dhe të arrijmë ta fitojmë këtë ndeshje.

Është e vërtetë që ka një premio nëse merrni tre fitore radhazi?

Unë mendoj që ekipi nuk e mendon punën e premios, por mendon që të arrijë rezultatin, pastaj presidenti nuk ka lënë pas dore. Shpresoj që pas këtyre fitore të na jap premio.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb