Egnatia kryeson kampionatin me 10 pikë distancë nga Partizani ndjekës, ndërsa top-4 plotësohet nga Vllaznia dhe Tirana. Në ndeshjet e fundit ka bërë mirë edhe Dinamo, që e sheh veten në pozitën e pestë. Takimi i radhës në kampionat vendos përballë dinamovitët përballë të kuqve, në një “betejë” të vërtetë. I  mirënjohuri Luan Pinari dha një intervistë për Sport News në News 24, në emisionin e moderuar nga Trevisa Tufa ku tregoi këndvështrimin e tij për Superioren.

 


 

Doja ta nisja nga Dinamo, 2 fitore në dy ndeshjet e fundit, për çfarë lufton Dinamo këtë sezon, askush nuk jep një objektiv të qartë, ju ku e shihni Dinamon?

Një skuadër që vjen nga Kategoria e Parë dhe pas oshilacioneve, synimi i parë është të qëndrojë mes 10 skuadrave më të mira. Dinamo së fundmi ka patur rival për mbijetesë përballë dhe i ka kaluar me sukses.

E bëj këtë pyetje pasi zona “final four” është 5 pikë larg ndërsa zona “play out” 6 pikë larg, trajneri Mehmeti nuk flet për objektiva, duket sikur të gjithë duan të sigurojnë fillimisht mbijetesën, është e drejtë kjo, ka frikë Dinamo nga e shkuara?

Është e pashmangshme. Duhet fat, pastaj janë edhe ca rrethana të tjera. Dinamo është një ekip i ri, hapat duhet t’i bëjë ngadalë-ngadalë. Fillimisht duhet siguruar qëndrimi, pastaj për të përfituar nga ndonjë gabim që bëhet. Dinamo nuk ka frikë nga e shkuara, por duhet të mësojë nga e shkuara.

A është ndeshja me Partizanin këtë fundjavë prova e së vërtetës, a mund të tregojë kjo sfidë se deri ku mund të shkojë ky ekip?

Dinamo ka marrë një barazim me barazim. Ky është momenti për të treguar objektivat. A është për Final Four apo për mbijetesë? Mbetet të shihet!

 Çfarë ndeshje pret Pinari?

Shoh një ndeshje të kujdesshme. Partizani vjen pas vetëm 1 fitore në 12 ndeshje. Akoma nuk është ekipi i Shehit. Besoj se do ketë shumë kujdes, pasi ekipet nuk do duan të dëmtohen. Kush guxon më shumë, do të fitojë.

Nuk është as Partizani në momentin më të mirë, të gjithë prisnin që me ardhjen e Shehit dhe Skukës të ishin më të fortë, por në shifra nuk kjo nuk po ndodhë…

Unë kujtoj vajtjen e Shehit te Tirana, në fillim pati kontestime. Nuk ndodhën gjërat që pritej. Besoj se do i duhet pak kohë, tifozët duhet të jenë të qetë pasi rezultatet e mira do të vijnë me stafin e ri. Besoj se do të jetë në Final Four. Po e them qartë, duhet edhe pak kohë. Partizani i ka të gjitha mundësitë.

Si e sheh Partizanin këtë sezon, 10 pikë larg vendit të parë, përtej formulës, e prisje një diferencë kaq të madhe me Egnatian?

Egnatia e ka ruajtur 70 përqind të grupit të vjetshëm. U fut seriozisht për të krijuar këtë largësi që ka për momentin. Ndoshta kjo shkëputje bëri që Partizani të mos merrte atë që donte. Egnatia ka diçka më shumë se Partizani, edhe pse ndeshja përfundoi në barazim.

A është gara për titull vetëm  mes Egnatias dhe Partizanit?

Bukuria e këtij kampionati do shihet në fund. Nëse do vazhdojë kjo ecuri, mund të themi se Egnatia mund të marrë kampionatin. Mendoj se ato ndeshjet e fundit mund të jenë surpriza e vërtetë.

Dua një koment edhe për Tiranën Pinari, një tjetër ish ekip i juaji, pëson 2 shënon tre, por pëson edhe 4 gola në një ndeshje, ke një shpjegim logjik, çfarë po ndodh me Tiranën?

Tirana ka problematika. Nuk mund të themi me detaje, por duket se është një ekip që ka probleme. Tirana mund të marrë rezultate pozitive, edhe kur është në vështirë. Pra, bardheblutë ia dalin t’i zgjidhin problemet. Aty duket qartë që ka diçka që nuk shkon. Tirana ka lojtarë vendas që janë provuar në kampionatin shqiptar.

Duket se ishin të sigurt për prezencën në final four, por në janar shitën 3 lojtarë titullarë, a rrezikon të mos kapin 4 vendet e para?

Tirana mund të rrezikojë vendin në final four, nëse Dinamo do ketë vazhdimësi. Kundërshtari më potencial për të rrezikuar vendin e bardhebluve është Dinamo.

Në lidhje me mbijetesën, kë sheh më të rrezikuar?

Shikoj Skënderbeun, por edhe Erzenin. Këtyre u bashkangjis edhe Kukësin, që nuk po fiton dot as në shtëpinë e vet.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: