TEPELENE

Është gjetur i vrarë me armë zjarri në makinë një nga dy shokët e shpallur të zhdukur prej dy javësh në Tepelenë.

Gazetarja Brikena Metaj raporton për “BalkanWeb” se 32-vjeçari Sokol Rama është gjetur i ekzekutuar në makinën e tij në fshatin Mbrezhtan të Përmetit. Policia dyshon se vrasja ka lidhje me prishjen e pazareve të drogës.

Prej gati dy jave 32-vjeçari Sokol Rama, banues në fshatin Mamaj të Tepelenës dhe shoku i tij nga Përmeti, Roland Milo nga fshati Miçan i Frashërit në Përmet janë deklaruar të zhdukur nga familjarët. Fillimisht, është deklaruar i zhdukur nga të afërmit e tij 32-vjeçari Rama.

Ai është një emër i njohur për Policinë lokale pasi rezulton person me precedentë penal, i akuzuar për vjedhje, ndërsa dyshimet janë se zhdukja e tij dhe shokut ka lidhje me transportin e lëndëve narkotike, pasi Rama është identifikuar nga Policia lokale si transportues droge.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe kërkimeve të kryera nga ana e Policisë për gjetjen e shtetasit S.R, i cili ishte shpallur në kërkim për “Largim nga banesa”, paraditen e sotme në zonën e Malëshovës, Bashkia Këlcyrë, në vendin e quajtur “Përroi i Thellë” është gjetur trupi i pajetë i shtetasit S.R. Nga kqyrja paraprake nga grupi hetimor dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera“- thuhet ne njoftimin e policisë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb