Igli Tare, vitet e fundit më shumë se më parë, është një emër mjaft i përfolur nga mediat italiane pasi për shërbimet e tij gjithmonë ka patur zëra se të interesuara kanë qenë dy klubet e Milanos, Interi dhe Milani.

Këto zëra janë shtuar më shumë tani kur dihet se kontrata me Lazio-n skadon në fund të këtij sezoni. Duke parë edhe punën e mirë që ka bërë me skuadrën kryeqytetase disa portale napolitane shkruajnë se Tare është objektivi i De Laurentis për t’u emëruar drejtori sportiv i të kaltërve.

Kjo pasi Cristiano Guintoli, drejtori sportiv aktual i Napolit, po mendon largimin. Mes Tares dhe Napolit ka pasur kontakte në muajt e kaluar, por shqiptari i ka bërë të ditur asokohe se kishte prioritet Lazion.

As te Napoli nuk është vendosur ende se çfarë do të bëhet me Guintolin, por De Laurentins është i ndërgjegjshëm se këtë verë shumë prej emrave të mëdhenj mund të largohen drejt skuadrave të tjera dhe për të nisur një projekt të ri, askush nuk është më i mirë se Tare. Nëse pranon, këtij të fundit do t’i vihen në dispozicion financa të mjaftueshme për të ndërtuar një grup cilësor po aq sa ky ekzistues, pasi shitja e lojtarëve pritet të sjellë përfitime të mëdha për arkat e klubit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb