NGA FATMIR POPJA*

LIBRAZHD- Përfaqësues të besimit islam në Librazhd kanë kundërshtuar hapur veprimet e myftiut  të zonës, Taulant Bica, i cili sipas përfaqësuesve të këshillit të Myftinisë Librazhd, po përçan besimtarët teksa po ndërmerr veprime arbitrare, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë sipas protestuesve.

Rrymat e myftiut që pakuptueshëm po mbështetet dhe nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kanë sjellë përplasje dhe me islamin tradicional që aplikohet në Shqipëri.


Imamët Hekuran Karaj e Maliq Gurra si dhe hoxhallarë e besimtarë nga sheshi i qytetit të Librazhdit i kanë kërkuar sot kreut të Komunitetit Mysliman Skënder Brucaj shkarkimin e menjëhershëm të Taulant Bicajt i emëruar myfti  i Librazhdit.

Besimtarët protestues kanë kundërshtuar dhe largimin nga detyra të administratorit të myftinisë, Xhevahir Bahiti i cili kontribuon në këtë institucion prej 20 vitesh. Ky është rasti i parë kur besimtarët e një zone kërkojnë hapur largimin e prijësit të tyre fetar, teksa pritet dhe reagimi i selisë qendrore të myslimanëve.

DEKLARATA E PLOTË E IMAMËVE
Në emër të Këshillit të Myftinisë, të këshillave të xhamive, të hoxhallarëve-Imamllarëve dhe mbarë besimtarëve të Rrethit Librazhd

1- Të gjithë ne të shqetësuar nga mosinteresimi prej rreth 7 muajsh nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për situatën e krijuar në Myftininë Librazhd nga sjelljet jokorrekte dhe përbuzjet e Myftiut z.Taulant Bica ndaj forumeve zgjedhore dhe ndaj Hoxhallarëve-Imamëve që kanë shërbyer dhe shërbejne me frymën tradicionale të Islamit qoftë me përvojën e para viteve 1967, qoftë dhe pas viteve 1990, jemi sot dëshmitarë të një situate që ka sjellë përplasje me Islamin tradicional, po goditet fryma tradicionale e fesë Islame në Shqipëri.

2- Vendimi i Kryesisë së Komunitetit Mysliman nr.16, datë 7 dhjetor 2015 për shkarkimin e Administratorit z.Xhevahir Bahiti i cili shërben prej 20 vitesh në Myftininë Librazhd është i padrejtë dhe i papranueshëm për ne. Detyrohemi t’i shkojmë drejtesisë për këtë veprim të paprecedentë dhe fund e krye të padrejtë.

3- Shqetësimet tona të drejta për gjendjen e krijuar nga ardhja e Myftiut në Librazhd megjithëse i kemi paraqitur deri te Kryetari i Komunitetit z.Skënder Brucaj, nuk janë marrë në konsideratë përkundrazi anëtarëve të Këshillit të Myftinisë Librazhd iu është bërë presion nga Kryesia e Komuniteti se përse është vënë në dijeni të problemit tonë Komuniteti Shtetëror i Kulteve.

4- Veprimet tendencioze dhe të papërgjegjshme të Myftiut z.Taulant Bica të mbështetura padrejtësisht edhe nga Komuniteti Mysliman në Shqipëri në raport dhe marrëdhëniet me besimtarët .

5- Të ndodhur në ketë situatë të tensionuar në rritje e pa asnjë reflektim nga Myftiu dhe për kthimin e normalitetit të frymës mirënjohëse e vëllazërore në institucionin e besimtarëve këtu, kërkojmë largimin e menjëhershëm nga detyra e Myftiut të Librazhdit të z.Taulant Bica duke qenë se është shkaktar i kësaj përçarjeje dhe anomalie.

6- Nëse kërkesat tona të drejta nuk do të merren parasysh nga Komuniteti Mysliman,do të ndjekim hapa ligjore për të çuar në vend dinjitetin e anëtarëve të Këshillit të Myftinisë Librazhd, të besimtarëve dhe Hoxhallarëve që kanë shërbyer dhe përçuar Islamin tradicional edhe në kohën e egër të diktaturës ateiste, duke ndjekur mësimet dhe shembullin e dijetarëve të sinqertë që kanë dhënë gjithçka për fenë dhe atdheun e tyre,e të gjithëve, Shqipërinë.

(m.k/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb