TIRANE– Emisioni ‘Studio e hapur’ në fokus të tij padyshim që ka procesin zgjedhor, ku pjesë e panelit të të ftuarve janë analistë, gazetarë dhe ekspertë në fushën e ekonomisë. Gjatë fjalës së tij, analisti Fatos Lubonja, u ndal tek incidentet që shoqëruan ditën e sotme, ku protagonist ishin anëtarë të PS dhe LSI. Mes të tjerash ai komentoi edhe heshtjen e PD-së, ndonëse kjo e fundit përfaqëson zërin opozitar.

“Ajo që bën përshtypje është heshtja e PD. Kjo pasi është e qartë, e lexueshme nëse LSI lufton për mbijetesë, ka qenë e sulmuar. Basha në këtë lojë me këtë pozicion mbetet një pikëpyetje e madhe që e lexojmë dhe nuk e lexojmë, do presim. Urrejtja është e madhe, por allashqiptarce, patriot me bateri”, tha Lubonja. I pranishëm në studion e ‘Neës24’, rektori i Universitetit “Luarasi”, Arben Malaj pohoi se debati gjatë fushatës zgjedhore nuk ishte fokusuar tek rivalët dhe se nuk kishte figura konkurruese.

“Debati nuk ishte i fokusuar ndërmjet rivalëve politik. Rënia e debatit politik dhe dëmtimi i fokusit, nuk kemi pasur figura konkurruese. Më shumë kemi politikanë që flasin për gjithçka”, pohoi ai. Ndërkohë, analisti Andi Bushati tha se strategjia e PS-së ishte fakti që t’i hiqeshin votat klienteliste LSI-së.

“Ajo që kemi parë në këto zgjedhje, është konvergimi i një strategjie të qartë. Po të shihni strategjinë e PS, është që t’i hiqej vota klienteliste LSI. Duke nisur një propagandë për ti hequr timonin. Dy ditët e fundit i gjithë aksioni i Policisë, ishte që: Drejtorët e LSI po paguajnë. Qëllimi ishte që t’i hiqte mundësinë kapilare për blerjen e votës. LSI pati strategjinë për mos t’i hyrë luftës frontale”, tha Bushati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb