Policia e Indisë ka paraqitur një ankesë kundër aktivistes suedeze të ndryshimeve klimatike, Greta Thunberg, lidhur me postimet e saj në rrjetet sociale mbi protestën e vazhdueshme të fermerëve në Indi.

Nuk ka pasur ende ndonjë prononcim zyrtar nga Policia e New Delhit. Një zëdhënës i policisë tha se ai nuk ka detaje për të ofruar në lidhje me zhvillimin.

Pas këtij zhvillimi, Thunberg tha se ajo vazhdon “të mbështesë protestën e tyre paqësore”.

“Asnjë urrejtje, kërcënim ose shkelje e të drejtave të njeriut nuk do ta ndryshojë atë”, shkroi aktivistja suedeze në llogarinë e saj në Twitter.

Mijëra fermerë kanë demonstruar në periferi të New Delhit që nga nëntori kundër ligjeve që synojnë të liberalizojnë sektorin e bujqësisë. Fermerët pretendojnë se rregullat e reja do të kërcënojnë jetesën e tyre.

Përderisa protestat vazhduan në mënyrë paqësore që kur filluan në muajin nëntor, ato u kthyen në dhunë më 26 janar, kur fermerët depërtuan në barrikadat e policisë për të sulmuar Fortesën e Kuqe historike në New Delhi, duke plagosur të paktën 400 oficerë të policisë. Qeveria tani ka ndërprerë internetin në vendet protestuese dhe ka vendosur një tel me gjemba për të barrikaduar zonat protestuese.

Më parë, qeveria lëshoi një përgjigje disproporcionale ndaj një postimi nga pop ylli Rihanna e cila mbështeti protestat kundër ligjeve të reja mbi bujqësinë.

“Komentet sensacionale në mediat sociale, veçanërisht kur drejtohen nga të famshëm dhe të tjerë, nuk është as e saktë dhe as e përgjegjshme”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë.

Ministria indiane theksoi se protestat duhet të shihen në kontekstin e “karakterit demokratik dhe politik” të Indisë, si dhe të “përpjekjeve të qeverisë” dhe fermerëve për të zgjidhur “ngërçin”.

Të martën në mbrëmje, Rihanna, e cila ka mbi 101 milionë ndjekës në Twitter, ndau një artikull të lajmeve nga rrjeti CNN në lidhje me protestën e fermerëve, duke shkruar: “Pse nuk po flasim për këtë?!”.

Menjëherë pas postimit të saj, aktivistja suedeze, Thunberg, Meena Harris, mbesa e zv/presidentes amerikane Kamala Harris si dhe shumë të famshëm të tjerë ndërkombëtar i dhanë mbështetjen e tyre protestës në vazhdim të fermerëve.

“Ne solidarizohemi me protestën e fermerëve”, shkroi Thunberg dhe ndau një “pjesë mjetesh” se si të ndihmohet protesta e vazhdueshme.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb