NGA GERILINA KODHELI

TIRANE- Kanë kaluar pak muaj nga kënga e saj e fundit “Do më kërkosh”, e tashmë Ingrit Gjoni do të vijë me një tjetër surprizë për adhuruesit e saj. Këngëtarja është në përfundim të videoklipit të radhës, xhirimet e të cilit i ka realizuar në Mat. Ashtu si gjithmonë, edhe këtë herë këngëtarja vjen tejet joshëse dhe provokuese, ndërsa, sa i takon këngës, Ingriti rrëfen se është në bashkëpunim me Ratin dhe Kastro Zizon.

E ndërsa të gjithë janë në pritje të klipit, këngëtarja është tërësisht e impenjuar në spektaklin e kërcimit “Dance With Me”, ku javën e shkuar arriti edhe të ngrinte trofenë si fituesja e mbrëmjes. Siç duket, padieshkat nuk ishin shumë të vështira për artisten, që na tregon në këtë intervistë se baleti ka qenë një pasion fëmijërie, me të cilin është angazhuar për shumë vite me radhë. Për prapaskenat e spektaklit, raportet me partnerin në kërcim Erion dhe kolegët e “Dance With Me” Ingridi rrëfehet në vazhdim…

Ingrit, si ndihesh në rolin e balerinës?
Në fakt është më shumë ‘show’. Megjithatë, unë kam kërcyer që në moshë të vogël dhe nuk është e vështirë. Ndihem shumë rehat, stafi është shumë i mirë dhe ta bëjnë komode punën. Janë orë të stërgjata dhe të lodhshme, por stafi t’i lehtëson. Që kur kam marrë ftesën, kam qenë pozitive, sepse e kam pëlqyer shumë produksionin, që nga komponentët që ka, Alketa, Vera, Albi Nako që i bën të shkëlqyera koreografitë, e Rezarta veshjet…

Ndonëse jemi ende në fillim të spektaklit, të kanë kërkuar deri tani lëvizje koreografike për balerinë profesionistë?
Numri me të cilin u vlerësova me kupë ishte profesionistësh, kisha padieshka. Nuk jam ndjerë në vështirësi, sepse Albi të vlerëson çfarë di të bësh. Padieshka ishte shumë e vështirë, sepse kërkonte shumë teknikë, por e doja edhe vetë.

U bindesh të gjitha kërkesave dhe detyrave që të përcakton Albi?
Po, pa diskutim! U bindem.

Jeni në çift me Erionin. Si i keni marrëdhëniet?
Erioni është një djalë dhe aktor i shkëlqyer. Kërcen me mua dhe më jep humor. Bëjmë kot si macja me miun, por në fakt shkojmë shumë mirë bashkë.

Jeni përshtatur si partnerë kërcimi?
Erioni nuk ka pasur ndonjë raport të ngushtë me baletin, por ai ka humor, ka interpretim në skenë. Nuk presim që të hyjmë në skuta të baletit, sepse nuk do bëhemi balerinë.

Cilat janë pretendimet që ke për këtë spektakël?
Ai është një ‘show’ i vlefshëm për të gjithë, një eksperiencë shumë e bukur; aty është si një teatër i madh që ti provon në shumë zhanre. Është një kurs i vlefshëm për jetën dhe ajo është puna, profesioni ynë, pavarësisht se ka të bëjë me baletin.

Ke pasur dyshime se për shkak të këtij impenjimi, që kërkon prova të vazhdueshme, je e detyruar të lësh ndoshta mënjanë angazhimet në muzikë?
“Dance With me” nuk më pengon në profesionin tim si këngëtare dhe as në impenjimet në muzikë. Këndoj gjatë fundjavave dhe kam kohë mjaftueshëm të punoj. Të dielën bëjmë provat gjenerale dhe të hënën është spektakli, kështu që nuk më pengon. Është pak e lodhshme për shkak të provave impenjative, por sidoqoftë janë në orar të mirë, paradite.

I mendon fitoren, trofetë, apo beson se konkurrenca është e fortë?
Jemi të gjithë miq dhe çdokush e ka me meritë. Aty është e dukshme gjithçka dhe të gjithë do ta meritojnë kupën një natë. Të gjithë do punojnë për të fituar. Aty janë të gjithë shumë të mirë, janë personazhe dhe me famë, e deri tani shkojmë shumë mirë. Na ka bërë jeta që të jemi çdokush në punën e tij dhe nuk kemi grindje, të paktën mes artistëve.

Sa u takon marrëdhënieve me kolegët, në botën e artit flitet shpesh për konflikte, “armiqësi” apo xhelozi… Ti personalisht, i sheh, i ndjen gjëra të tilla?
Jam shumë indiferente dhe nuk përfshihem aspak në të tilla gjëra. Nuk kanë pse të ndodhin; secili është në punën e tij dhe ka jetën e tij, e nuk ka aspak pse të ngatërrohemi.

Dukesh më në formë se kurrë. Si ia ke arritur?
Po, është e vërtetë. Gjatë kësaj kohe kam humbur 10 kilogramë, vetëm për shkak të provave në “Dance With Me”, dhe kam eliminuar bukën nga dieta ime e përditshme.

Ingrit, aktualisht je duke punuar për një këngë të re. Kur do të jetë gati?
Po, kam një projekt. Ende është në montazh, sepse impenjimet nuk më lejojnë që ta përfundoj. Kam një këngë shumë të mirë me Ratin dhe Kastro Zizon.

Çfarë zhanri?
Është një këngë house me pak folk. Ka, sigurisht, nuanca folklorike, sepse këndon Rati, por në gjeneral ritmi është house.

Pse kjo zgjedhje, apo është një përshtatje me tregun?
Të gjithëve do të na bjerë radha të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Nuk është zgjedhje, por është punë idesh, që një herë janë të suksesshme, njëherë më pak të suksesshme, janë gjëra që shkojnë zinxhir.

Me cilët ke bashkëpunuar për këtë këngë?
Gramoz Kozeli ka punuar këngën dhe “Pro Video” videoklipin. Është një klip shumë i bukur, kënga është interesante dhe është për sezonin e dimrit. Klipi është xhiruar në lumin e Matit.

Në fakt, vitet e fundit ke ardhur më shumë në bashkëpunime sesa si soliste…
I tillë më ka ardhur materiali. Varet gjithçka nga materiali. Unë nuk bëj muzikë për të qenë trendi, por atë muzikë që më pëlqen.

Planifikon të bësh duet me ndonjë reper, apo nuk e gjen veten në hip-hop?
Unë nuk vendos që të bëj një duet me dikë e më pas të punoj këngën. Unë fillimisht punoj këngën, e më pas mendoj se kush mund ta këndojë. Nuk i bëj gjërat qëllimisht…

Ingrit, Paridi të ka shoqëruar në ‘photoshooting’ dhe në videoklip…
Po, kam realizuar një set fotografik me djalin dhe një videoklip. Nuk jam natyrë që më pëlqen ta ekspozoj fëmijën e as natyrë e rrjeteve sociale. Nuk kam “Instagram”, jam shumë pak e përfshirë në këto gjëra dhe nuk më pëlqen që ta ekspozoj djalin pa fund.

Pse, apo të duket abuzive?
Më duket e paarsyeshme që ta ekspozosh fëmijën vazhdimisht në rrjetet sociale, nuk më pëlqen.

E sheh të ardhmen e Paridit në muzikë? Do ishte kjo dëshira jote?
Jo, nuk mendoj për këtë, por vetëm që ta shkolloj dhe t’i jap gjithçka që ka për detyrë një nënë.

Çfarë nëne është Ingriti? Je e rreptë apo tolerante?
Nuk jam e rreptë, por bëhem kur duhet. E konsideroj veten mes të dyjave.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: