Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, njëherazi përfaqësues i Forumit Shqiptar të udhëhequr nga Nik Gjeloshaj, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të qarqeve pro-serbe për të vënë në diskutim njohjen e Kosova.

Reagimi i Dukajt vjen pas miratimit të një deklarate nga Kuvendi i Komunës së Zetës, ku kërkohet simbolikisht anulimi i vendimit shtetëror për njohjen e Kosovës – një akt pa efekt juridik, por me peshë në diskursin politik.

Ministri shqiptar e cilësoi këtë zhvillim si një ndërhyrje të papranueshme në kompetencat shtetërore dhe një goditje ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Bëhet fjalë për përpjekje për të marrë kompetenca që nuk u takojnë dhe për të ndërhyrë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat janë objektiv parësor i vendit tonë,” theksoi Dukaj.

Ai nënvizoi se akte të tilla, megjithëse pa fuqi detyruese, përbëjnë një devijim serioz institucional dhe janë të motivuara nga interesa të ngushta politike dhe kalkulime gjeopolitike.

“Në vend që të punohet për përmirësimin e jetës së qytetarëve, po dëshmojmë përpjekje për shpërbërjen e institucioneve… për përfitime politike dhe strategji të caktuara,” u shpreh ai.

Në reagimin e tij, Dukaj përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë, duke e cilësuar situatën si një kthim prapa për vendin.

“Definitivisht, dhe për fat të keq – një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes europiane.”

Nismat për anulimin e njohjes së Kosovës lidhen me veprimet e partisë pro-serbe Demokratska narodna partija, e udhëhequr nga Milan Knežević. Kjo parti, e cila deri para pak muajsh ishte pjesë e shumicës qeverisëse, ka kaluar në opozitë pasi tërhoqi mbështetjen për qeverinë e kryeministrit Milojko Spajić.

Megjithëse vendimet e marra në nivel komunal nuk kanë ndikim në politikën e jashtme të Malit të Zi, e cila është kompetencë ekskluzive e institucioneve qendrore, ato po përdoren për të ndërtuar një narrativë politike kundër pavarësisë së Kosovës dhe orientimit euro-atlantik të vendit.

Me këtë reagim, ministri Dukaj, përfaqësues i Forumit Shqiptar në qeveri, ka dhënë një mesazh të qartë se çdo tentativë për të sfiduar vendimet strategjike të shtetit dhe për të dëmtuar marrëdhëniet rajonale përbën një rrezik për kursin europian të Malit të Zi

Reagimi i plotë i Dukajt në X:

“Deklarata e Komunës së Zetës është një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes europiane.

Nuk jam i befasuar nga Deklarata e Kuvendit të Komunës së Zetës për anulimin e vendimit shtetëror për njohjen e Republikës së Kosovës.

Pa hyrë në elementët kushtetues dhe juridikë, që një akti të tillë politik nuk i japin karakter detyrues, këtu bëhet fjalë për një fenomen të përpjekjes për të marrë kompetenca që nuk u takojnë dhe për të ndërhyrë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat janë objektiv parësor i vendit tonë.

Në vend që komuna më e re të bëjë gjithçka për të krijuar kushte më të mira jetese dhe prosperitet për qytetarët e saj, ne po dëshmojmë përpjekje për shpërbërjen e institucioneve përmes devijimeve të pjesëve të sistemit, e gjitha për përfitime të ngushta politike dhe strategji gjeopolitike të lidhura me to.

Padyshim, dhe për fat të keq – një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes europiane.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: