Kristjan Asllani është në udhëkryq gjatë kësaj vere, pasi nuk ka ende të qartë se ku do të vazhdojë karriera e tij. Nëse një vit më parë ishte mesfushori ai që i diktonte kushtet Interit për një largim të mundshëm nga zikaltrit, tani janë këta të fundit që diktojnë gjithçka duke i krijuar jo pak probleme futbollistit.
Sipas mediave italiane, vendimi i Interit është që të shesë përfundimisht kartonin e Asllanit dhe jo të lejojë më huazimin me të drejtë blerje. Ka disa klube të interesuara për të transferuar mesfushorin, mes të cilëve Kaljari i cili ka kërkuar informacione rreth tij.
Por përgjigja e Interit ka bërë që diskutimet të mbyllen shpejt, pasi kampionët e Italisë kanë bërë të qartë që kërkojnë rreth 10 milionë euro për kartonin e mesfushorit. Kjo është një shifër shumë e lartë të cilën sardët nuk e përballojnë dot dhe për këtë arsye janë tërhequr menjëherë.
E njëjta situatë ka bërë të tërhiqen edhe klube të tjera dhe kujtojmë se edhe Beshiktashi ka cilësuar të papërshtatshme klauzolën prej 11 milionë eurosh të Interit që kishte në kontratën e huazimit. Ndaj për momentin Asllani është “në ajër” sa i përket të ardhmes dhe i mbetet të shpresojë që zikaltrit të ulin kërkesat për të, pasi përndryshe rrezikon të mbetet si spektator në klub.
